Ukraina po planifikon të zmbrapsë ndikimin rus në pjesën perëndimore të Detit të Zi përmes një strategjie të re kombëtare detare, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm.
“Ne e kuptojmë qartë se lufta ka ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në rajonin tonë të Detit të Zi dhe se flota ruse nuk do të dominojë më kurrë në këto ujëra”, tha Zelensky.
“Ukraina do të ndjekë interesat e veta kombëtare në det dhe ato të partnerëve të saj dhe do të mbrojë rrugët e transportit”, tha ai.
Rusia zotëroi një pjesë të madhe të flotës ukrainase kur aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014.
Ukraina humbi anije të tjera menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në vitin 2022, kur forcat e Moskës pushtuan qytetin port Berdyansk, në rajonin e Zaporizhias në jug.
Anija kryesore e marinës ukrainase, “Hetman Zahaidachnyi”, u fundos në Mykolaiv.
Edhe pse marina ukrainase nuk ka aktualisht ndonjë anije luftarake të madhe, Kievi ka arritur të dëbojë flotën ruse të Detit të Zi nga pjesa perëndimore e Detit të Zi.
Ky avancim ka rigjallëruar pjesërisht tregtinë detare nëpërmjet Odesë. Marina e Ukrainës gjithashtu do të përmirësohet në të ardhmen e afërt me furnizime nga partnerët perëndimorë.
Krahas forcimit të fuqisë së tij detare, Zelensky gjithashtu premtoi të përmirësojë më tej mbrojtjen e tij ajrore dhe la të kuptohet për një njësi tjetër “Patriot” nga Gjermania dhe përforcime të mëtejshme në javën e ardhshme.