Policia e Kosovës e ka arrestuar një të mitur, pasi i njëjti është kapur në flagrancë duke ngjitur disa pamflete pas mesnatës në veri, e të cilat nxisin urrejtje.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha për RTK se për këtë rast janë ndaluar e intervistuar edhe tre persona të tjerë, gjithashtu të mitur.
“Mbrëmë rreth orës 01.00, një person është hasur duke ngjit disa pamflete që pas verifikimit ka sjellë deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtjes. Ky person me urdhër të prokurorit është ndaluar dhe deri tani janë identifikuar edhe katër persona të tjerë. Tre nga ta janë intervistuar dhe janë gjetur prova materiale që e mbështesin veprën nxitje e urrejtjes dhe momentalisht jemi duke punuar në drejtim të asaj që të intervistohet edhe personi i pestë në lidhje me këtë rast”, ka thënë Elshani.
Tutje Elshani ka bërë të ditur se përveç personit të parë që është arrestuar, tre të tjerët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar janë të mitur.