Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.
Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën.
Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.
Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.
Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri – me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.
Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.
Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.
Cilat janë prioritetet e politikës së jashtme të Kallas?
Prioriteti i saj kryesor si kryediplomat i BE-së do të jetë sigurimi që evropianët të jenë të përgatitur për të parandaluar përparimet e ardhshme ruse.
Lufta në Ukrainë ka ekspozuar shumë nga dobësitë e Evropës, duke përfshirë prodhimin e pamjaftueshëm të municioneve dhe boshllëqet në aftësitë e vëzhgimit dhe zbulimit të bazuar në satelit.
Kallas ka sugjeruar huamarrje të përbashkët nga BE për të financuar zgjerimin e aftësive të mbrojtjes. Ndërsa presidenti i Francës Emmanuel Macron e ka mbështetur idenë, do të jetë më e vështirë për të që të bindë shtete të kujdesshme fiskale si Gjermania. Raportet sugjerojnë se ajo mund ta ketë ngritur atë në shkurt në Hamburg me kancelarin Olaf Scholz.
“Për sa i përket një krize ushtarake, është e rëndësishme se kush i jep urdhër kujt dhe si funksionon me të vërtetë zinxhiri i komandës. Kjo është NATO, ushtarakisht,” tha ajo në mars në një përpjekje për të sqaruar. “Por nxitja e industrisë së mbrojtjes është ajo ku Bashkimi Evropian ka gjithashtu një fjalë.”
Sfida më e madhe e Kallas do të jetë përcaktimi i vizionit të saj të politikës së jashtme në fusha të tjera, të tilla si ballafaqimi me Iranin, Kinën dhe Lindjen e Mesme.