EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM:
Dr. Jorgji KOTE
Më në fund, dialogu i shumëpritur dypalësh Gjermani – Poloni rifilloi dhe po i rikthehet normalitetit të 10 viteve më parë; kur u ndërpre mbas ardhjes në pushtet të Partisë konservatore Për Ligj dhe Drejtësi ( PiS). Për pasojë, vitet e fundit midis të dy këtyre vendeve ka patur grindje, tensione dhe polemika të vazhdueshme, të cilat arritën kulmin me kërkesën polake për dëmshpërblimin e reparacioneve të Luftës së II Botërore. Kjo e fundit u institucionalizua, duke ngritur komisione të posaçme në Varshavë të cilat mbi bazën e përfundimeve të tyre formuluan kërkesën ndaj Berlinit zyrtar për shumën marramendëse prej 1,85 Trilion Euro.
Këto pretendime u hodhën kategorikisht poshtë nga Gjermania me argumentat e njohura se ky problem ishte mbyllur përfundimisht me ribashkimin gjerman më 3 tetor 1990. Mirëpo kjo ngjarje u kthye në pretekst të fortë për nacionalistët në Poloni për acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat ndërmjet këtyre dy vendeve kyçe për bashkëpunimin dhe stabilitetin europian.
Për pasojë, u ndërpre dhe tradita e zhvillimit të Konsultimeve qeveritare ndërmjet tyre dhe e formatit të ” trikëndëshit të Vajmarit”, ku përfshihet dhe Franca.
Të gjitha këto zhvillime të padëshirueshme kishin krijuar një mjedis që është pak të thuhet i helmuar, ku sundonin mosbesimi, ndjenja armiqësore, sulme e dhe ofendime nga ta dyja anët. Por, tani që PiS dhe lideri i saj Jaroslaë Kazcynski u largua nga pushteti, iu çel sërish rruga dialogut, mirëkuptimit dhe besimit reciprok, për një të ardhme më të mirë të të dy popujve. Kjo pritet të jetë me shumë rrjedhoja pozitive për këto dy vende të mëdha dhe me peshë, sidomos në kushtet e sotme të shtimit të konfliktualitetit mes Perëndimit dhe vendeve autoritare, rajonin dhe përparimin e BE-së, përfshi këtu zgjerimin drejt Ballkanit Perendimor dhe vendit tonë të cilin e mbështetin të dy këto vende dhe në kuadrin e Procesit të Berlinit.
Faktori kryesor këtu ishte fitorja e forcave të moderuara polake me Kryeministrin Donald Tusk. Ky ishte lajmi i mirë dhe i vetmi vend ku ndryshe nga disa të tjera, sidomos Franca tani së fundi ata ranë nga pushteti. Tusk, njihet si europianist i bindur, ish President i Këshillit Europian gjatë periudhës 2014 – 2019.
Theksojmë se Tusk është i vetmi nga drejtuesit më të lartë të BE-së, që u rikthye fitimtar në betejën zgjedhore në vendin e tij mbas shumë vitesh. Të tjerët, përfshi këtu presidentë të Europarlamentit, zv.presidentë të Komisionit dhe Shërbimit të Jashtëm Europian kanë dështuar, madje keq në kandidimet në zgjedhjet europiane dhe në vendet e tyre.
Ky ishte lajm i mirë për Gjermaninë, e cila nuk nguroi dhe nuk priti gjatë, por mori nismën për një rijetësim dhe kthesë madhore në marrëdhëniet e saj dypalëshe dhe në nivel europian me Poloninë fqinje. Një binom mjaft i rëndësishëm mbas dhe bashkë me boshtin franko-gjerman për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Europë, tani kur e djathta ekstreme ka mprehur dhëmbët dhe armët për të ” pushtuar” metropolet më të rëndësishme në Europë dhe në Amerikë.
Në këtë atmosferë të lehtësuar dhe të çliruar nga tensionet e mësipërme, më 2 Korrik u zhvillua në Varshavë Raundi i 16-të i Konsultimeve qeveritare midis dy vendeve, të bashkëdrejtuar nga Donald Tusk dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz; ky i fundit kishte marrë me vehte 12 ministrat më të rëndësishëm.
Kancelari Scholz deklaroi se ” ne jemi fqinjë të mirë, partnerë të ngushtë dhe miq besnikë; dhe që duam të krijojmë një dinamikë të re në bashkëpunimin tonë”
Ndërsa Tusk tha se « askush nuk duhet të ketë dyshime mbi rëndësinë e bashkëpunimit tonë të mirë me Gjermaninë”
Ndërkohë, duke iu referuar gjendjes aktuale dhe kërcënimit të së djathtës ekstreme në Europë, Tusk the se forcat e moderuara dhe pro-europiane do të gjejnë përgjigje të mençura dhe bindëse për ato që tashmë janë bërë përparësi për njerëzit e zakonshëm: lufta me efikasitet kundër migrimit të paligjshëm, forcimi i sigurisë, rritja e vetëmjaftueshmërisë ekonomike dhe vendosmëria e Europës për mbrojtjen e interesave të saj në botë”
Në përfundim të këtyre Konsultimeve të përbashkëta, u nënshkrua një Plan Veprimi me 40 faqe, ku preken të gjitha aspektet jetësore të politikës së brendshme dhe të jashtme – ekonomia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, forcimi i BE-së, klima, energjia, emigracioni, infrastruktura e deri te ndërtimi i një linjë hekurudhore të shpejtë Berlin – Varshavë.
Pala polake vlerësoi shumë gatishmërinë gjermane të shprehur nga Kancelari Scholz për të marrë përsipër bashkëpërgjegjësinë për garantimin e sigurisë në kufijtë lindorë të Polonisë me ndërtime në infrastrukturëë dhe mbështetje ushtarake. Këtë Scholz e argumentoi me faktin se ”siguria e Gjermanisë dhe e Polonisë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njera tjetrën. Çka do të thotë se siguria për Gjermaninë është dhe siguri për Poloninë”
Në kushtet kur qeveria e re polake hoqi dorë nga kërkesat për dëmshpërblime, vend të rëndësishëm në këtë plan të përbashkët veprimi ze kompensimi moral dhe financiar për viktimat dhe të mbijetuarit e nazizmit gjerman gjatë Luftës së II Botërore. Ndihma finanicare gjermane për ta llogaritet në disa qindra milionë Euro, e megjithatë ajo nuk është asgjë krahasuar me reparacionet e lartpërmendura të luftës. Po ashtu mendohet për ngritjen ngha Gjermania të një një memoriali në nderim të tyre. Ndërkohë, pala polake vlerësoi gatishmërinë e Kancelarit Scholz për hapjen në Berlin të një Shtëpie të përbashkët gjermano-polake, mesazh ky sipas Scholzit ”kundër harresës të së kaluarës dhe paralajmërim për të ardhmen”.
Të tria këto veprimtari dhe aspekte marrin rëndësi të veçantë tani, në prag të 85 Vjetorit të pushtimit të Polonisë nga Gjermania, 80 Vjetorit të revoltës së Varshavë, të 75 Vjetorit të themelimit të NATO-s dhe Samitit të saj të fundit në Uashington.
Siç pohojnë shumica e ekspertëve dhe analistëve politikë, rijetësimi i bashkëpunimit gjermano-polak është në interes të të dy vendeve dhe lidershipeve të tyre politikë, sidomos Gjermanisë, koalicioni qeveritar i të cilës ndodhet në pozita tejet të vështira mbas rezultateve katastrofikee në zgjedhjet europiane dhe afrimit të zgjedhjeve të reja parlamentare shtatorin e ardhshëm. Por dhe për qeverinë e re polake dhe shefin e saj, Donald Tusk. Ca më tepër se ky i fundit qysh nga viti 2005 është shigjetuar si agjent i Gjermanisë, akuza të cilat do ta ndjekin mesa duket gjatë. Ndaj atij i del dhe detyra për ta përgënjeshtruar me fakte dhe prova këto shpifje; mirëpo, për këtë i duhet doemos ndihma dhe mbështetja gjermane lidhur me përparimin e marrëdhënieve mes tyre.
Vetëm se për këtë qëllim, Gjermania has në një pengesë të madhe që e ka emrin PARA. Kohët e fundit ajo është në krizë për shkak të deficiteve të shumta dhe ” politikave të ” frenimit ” buxhetor që po ndjek koalicioni i atjeshëm qeveritar. Nga ana tjetër, shtimi i kërkesave për fonde gjermane për sigurinë europiane e ka shtuar dhe më tepër trysninë ndaj Gjermanisë. Problemi është se ende nuk dihet se sa do të jetë kontributi financiar gjerman në këtë fushë të re me plot të panjohura, krahas ndihmave për Ukrainën, ku Gjermania renditet e dyta mbas SHBA-ve. Ndërkohë dhe Polonia kërkon pjesën e vet, që gjithsesi është shumë më e vogël se dëmshpërblimet e qeverisë së mëparshme për reparacionet e luftës.
Ajo çka kërkohet tani prej të dy këtyre vendeve dhe lidershipeve të tyre është vullneti politik, lidhja dhe mbajtja e fjalës dhe kalimi nga fjala te veprat në terren.
Ndryshe, vërtet që ekstremi i djathtë në Poloni para një viti iku nga pushteti, por ai mund të kthehet sërish në rast dështimi, i nxitur dhe yshtur më tej nga Le Pen në Francë dhe një fitore e mundshme e Trump në SHBA.
© 2024 Argumentum