Türkiye shënon sot përvjetorin e tetë të tentativës së mposhtur të grusht shtetit të 15 korrikut 2016.
Që nga përcaktimi i festës shtetërore në tetor 2016, Türkiye çdo vit shënon 15 Korrikun si Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, me aktivitete në mbarë vendin për të përkujtuar ata që humbën jetën duke mposhtur puçistët dhe për të kujtuar trimërinë e kombit.
Përpjekja e mposhtur për grusht shteti, në të cilën 252 njerëz u vranë dhe 2.734 u plagosën, u komplotua dhe u krye nga Organizata Terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me seli në SHBA, Fetullah Gülen.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan vendosi lule në monumentin e urës së dëshmorëve të 15 Korrikut.
Në fjalimin e tij pas ngjarjes të mbajtur në Istanbul, Erdoğan shprehu krenarinë e madhe duke kujtuar “rezistencën heroike të kombit, i cili duke përdorur vetëm duart, doli kundër tankeve dhe armëve vdekjeprurëse”. Ai është planifikuar më vonë të marrë pjesë në një program përkujtimor në Kompleksin Presidencial në Ankara.
Në një shfaqje uniteti dhe respekti, nënpresidenti Cevdet Yılmaz dhe ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya morën pjesë në një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve të 15 Korrikut në kryeqytet.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiye, Numan Kurtulmuş, gjithashtu e shënoi këtë rast me një deklaratë të fuqishme, duke thënë: “Atë natë, populli ynë me dashurinë për atdheun dhe pasionin për pavarësinë, i ndaloi puçistët që kishin qëllim pushtimin”.
Duke shënuar këtë rast, ministri i Jashtëm Hakan Fidan tha: “Kombi ynë i dashur nuk do të lejojë kurrë forcat, qofshin ato kryesore apo përfaqësuese, që të minojnë pavarësinë tonë”. Ai theksoi përpjekjet e vazhdueshme për të sjellë para drejtësisë anëtarët e FETO-s jashtë vendit dhe bëri homazhe për dëshmorët dhe veteranët e 15 Korrikut.
Ankaraja zyrtare akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor. Zyrtarët turq kanë kërkuar që SHBA-ja të ekstradojë Gülenin për t’u përballur me drejtësinë turke, por zyrtarët amerikanë nuk e kanë pranuar kërkesën.
Ambasadat dhe konsullatat turke në mbarë botën organizojnë aktivitete përkujtimore,
Edhe ne Shqiperi, nën kujdesin e Ambasadës turke në Tiranë është organizuar ceremonia përkujtimore për përvjetorin e tetë të tentativës për grusht shteti në Türkiye, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Në ceremoninë e organizuar tek Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus-Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, rektori i Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), Ali Güneş, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.
Ambasadori Atay në fjalën e tij u shpreh se kombi turk me rezistencën e tij të nderuar, mbrojti rendin kushtetues, parlamentin dhe qeverinë legjitime, duke sakrifikuar 252 dëshmorë dhe mijëra veteranë dhe sipas tij shkroi një epope të demokracisë.
Atay theksoi se me përpjekjet e shtetit turk u shkatërrua shtylla kurrizore e FETO-s në Türkiye, e cila sipas tij, përveç se është organizatë terroriste, është edhe një rrjet spiunazhi me atribute “kulti”.
“Në Shqipëri, për fat të keq, shikojmë që struktura e FETO-s vazhdon të ekzistojë në mënyrë te rrezikshme. Organizata shfrytëzon popullin vëlla shqiptar me sistemin e shfrytëzimit që ka krijuar në sektorin fetar, shëndetësor dhe arsimor. Ne do të vazhdojmë të shpjegojmë në çdo rast se çfarë lloj organizate terroriste e gjeneratës së re është FETO, për faktin që Shqipëria të mos përjetojë ato eksperienca të dhimbshme që ka kaluar vendi ynë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kjo situatë nuk është lehtë për t’u kuptuar”, tha Atay.
Duke theksuar se dëshiron të jap një mesazh mbi FETO-n për komunitetin ndërkombëtar në Tiranë, Atay tha se “Kësaj organizate iu thye shtylla kurrizore në Türkiye. Po ashtu dita ditës po humbet pushtetin edhe jashtë vendit. Pra, do të pushojë së ekzistuari. Ajo që është e përhershme është Republika e Türkiyes, një anëtare e NATO-s dhe kandidate në BE, e cila ka një rëndësi kritike për demokracinë, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës”.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur në emër të organizatave të shoqërisë civile tha se mbledhja pranë memorialit është kthyer në ritual, që flet sipas tij për respektin e palëkundur për 251 martirët e një momenti të kobshëm, e njëkohësisht të lavdishëm në historinë e shtetit modern turk.
“Pushtuesit e urave, aeroporteve, televizioneve, institucioneve shtetërore, agresorët me tanke, avionë e helikopterë, nuk e kishin imagjinuar atë reagim të fuqishëm popullor. Kushtrimi i presidentit Recep Tayyip Erdoğan nëpërmjet një mjeti telefonik, çoi në këmbë vullnetin e popullit, asnjëherë më parë të treguar aq energjikisht”, tha Gurra.
Gurra theksoi se shteti turk ka dashur të ua bëjë të qartë të gjitha vendeve mike dhe partnere rrezikshmërinë e organizatës terroriste FETO. “Në vendin tonë kemi akoma shumë përpara luftë për të bërë për ndërgjegjësimin e njerëzve për rrezikun gylenist dhe funksionimin kapilar dhe të fshehtë të kësaj organizate”, u shpreh ndër të tjera Gurra.
Gjatë ceremonisë u bënë lutje për dëshmorët, ndërkohë u ekspozuan edhe fotografi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti në Türkiye./AA–Argumentum.al