REAL POLITIK FLASH NR. 93
2 – 16 KORRIK 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Ndryshim historik britanik ndodhimbas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 4 korrik në Londër kur rierdhi në pushtet mbas 14 vitesh Partia Laburiste e Keir Starmer. Me fitore plebishitare, përballë disfatës më të rëndë të Partisë Konservatore të Rishi Sunak në historinë e saj 190 vjeçare. Në Dhomën e Ulët me 650 vende, Laburistët fituan 410, ndërsa konservatorët vetëm 119 vende.
Shkaku kryesori fitores laburiste ishin vështirësitë e shtuara ekonomike, shumë larg premtimeve të BREXIT. Kështu, ekonomia ra mbi 4 për qind. Premtimi për përfitime javore 445 milon Euro për shëndetësinë jo vetëm nuk u mbajt, por ajo u katandis dhe më keq akoma, me radhë të gjata e të pafund, rënie të standardeve, etj. Në 10 vitet e fundit ndodhi fryrja më e madhe e administratës shtetërore mbas vitit 1945!
Të shumta janë pasojat në arsim, programet rinore, kulturore dhe shkencore. Ndërkohë, britanikët tani duhet të zenë rradhën për vizë për të udhëtuar në vendet e BE-së. Shkurt, zgjedhësve u “kishte ardhur në majë të hundës”, sepse gjërat ”ranë nga shiu në breshër”
Ndonëse u ” flijuan” 5 kryeministra brenda 10 viteve si asnjëherë në historinë e Britanisë së Madhe prapë asgjë, vetëm ” fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Ja pse për Brexit nuk u fol sepse ” në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”.
Lajmi i mirë është se qeveria e re do vijojë të njëjtën politikë të jashtme, madje duke forcuar bashkëpunimin me BE-në.
2. Franca e paqeverisshme?
Kjo është pyetja dhe frika e madhe mbas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 7 Korrik në Francë; ndonëse “ Tubimi Kombëtar” i Marine Le Pen, jo vetëm nuk siguroi shumicën absolute por u rendit i treti me 143 vende. Fituese por jo me shumicë absolute doli aleanca « Fronti i Ri Popullor“ me 182 vende, i ndjekur nga Aleanca makroniste “Bashkë“ me 145 vende.
Sfida e madhe është se koalicioni i ri qeveritar duhet të bashkojë socialistët, social-demokratët, të gjelbërit, komunistët e “ Franca rebele” të Melenchon -it, republikanët dhe Makronistët. Hera e parë që kjo ndodh në historinë e 80 viteve të fundit. Tani Franca dhe Macron vërtet do të “ shkelin në shtigje të paçelura”!
Ndonëse numrat e “Frontit të Ri Popullor” dhe “Bashkë“ formalisht mjaftojnë, prapë misioni duket pothuajse i pamundur. Sepse Fronti i Ri Popullor u krijua nga halli vetëm për të mundur “Tubimin Kombëtar”. Mirëpo, të bësh qeveri me ta është si të bësh “stan me lepuj“! Sepse vetë brenda tij, socialistët dhe të gjelbërit nuk pranojnë të qeverisin bashkë për shkak të dallimeve të papajtueshme politike të brendshme dhe të jashtme. Komunistët e Melenshonit janë anti-gjermanë, anti-BE, anti-NATO dhe anti-semitistë, ashtu sikurse tejet të rezervuar për mbështetjen ndaj Ukrainës. Dhe më i vështirë, për të mos thënë i pamundur është bashkëpunimi i socialistëve dhe të Gjelbërve me aleancën makroniste “Bashkë“.
Veç kësaj, mundësia e një koalicioni të madh nuk njihet në Francë, siç ndodh në Austri dhe në Gjermani, ndaj është pothuajse zero pse pa shans.
Edhe krijimi i një qeverie pakice do ta fuste Francën në rrugë të panjohura dhe të pasigurta. Ashtu sikurse varianti i një qeverie teknike/ekspertësh do të përballej me shumë probleme gjatë funksionimit të tij, çka mund ta detyronte Presidentin Macron të shpallte zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare korrikun tjetër, sipas ligjit përkatës francez.
Problemi i madh është se të gjitha këto versione dhe dështimet e mundshme do të shërbenin si “municion“ për ekstremin e djathtë dhe të majtë për t’i “shkrepur“ në zgjedhjet presidenciale mbas tre vitesh dhe ato parlamentare, të parakohshme apo dhe të rradhës.
Siç shihet fare qartë, vërtet që më 7 Korrik u shmang e keqja më e madhe, por rreziku i ekstremizmit, tanimë të djathtë dhe të majtë është aktiv dhe i dukshëm.
Gjithsesi, shpresohet shumë dhe ka filluar puna që me lëshimet e rastit, partitë e qendrës së majtë, republikanët e qendrës së djathë dhe makronistët, që i kanë numrat e nevojshëm të arrijnë konsensusin për një qeveri të qëndrueshme. Ndryshe Franca do të hyjë në spiralen e krizave me ndikime negative në gjithë Europën. Vetëkuptohet se mbas 7 Korrikut, roli francez dhe i Presidentit Macron në diplomacionë ndërkombëtare ka rënë dukshëm.
3. Kujtesë dhe kthesë historike ishte Samiti i NATO-s në Uashington, atje ku u krijua plot 75 vite më parë. Kujtesë për arritjet në mbrojtjen e paqes, begatisë dhe demokracisë në 32 vendet anëtare. Por dhe i vështirësive dhe sfidave të shumta të sotme, që nuk kanë të krahasuar me disa dekada më parë. Agresioni rus ndaj Ukrainës, kërcënimet nga Kina, Irani, Korea e Veriut, gjendja në Lindjen e Mesme dhe gjendja e brishtë në Ballkanin Perendimor…. Kthesa historike u shënua me konfirmimin e mbështetjes për Ukrainën me 40 miliard Euro për vitin 2025, me avione ushtarakë F16, krijimin e qendrës së mbrojtjes kibernetike, stacionimin në Gjermani të sistemeve moderne raketore me rreze të gjatë veprimi, krijimin e Komandos së NATO-s në Wiesbaden për dërgimin e armatimit ushtarak dhe trainimin e trupav ukrainase, etj. Po ashtu, perspektiva e anëtarësimit të Kievit në NATO, etj. Ja pse Samiti jubilar ishte kujtesë dhe kthesë historike për Ukrainën si dhe garantimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në hapësirën Euro-Atlantike.
4. Beleri, burgu, Brukseli!
Ky trinom mbetet i diskutuar por i vërtetë. Beleri nga burgu i Fierit ndodhet në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg tqnimë si Eurodeputet. Ka shumë pikpyetje dhe diskutime, por BE-ja e ka bërë shumë të qartë në ligjet dhe rregulloret e saj. Kur një person zgjidhet direkt nga populli, si Beleri në Greqi me 240.000 vota, ai/ajo gëzon imunitet thelbësor juridik si Europarlamentar, madje lirohet dhe amnistohet nga çdo akuzë dhe dënim i mëparshëm.
Kjo ka ndodhur dhe në dy vitet e fundit me Eurodeputetin polak Karpinski, i dënuar 8 muaj burg për korrupsion me 1 milion Euro, i cili mbas kryerjes së dënimit në nëntor 2023 u rikthye në Europarlament; ndërsa para një muaji, aktivistja e majtë italiane Ilaria Salis u lirua nga arresti shtëpiak në Budapest të nesërmen e zgjedhjes si Eurodeputete. Ka diskutime dhe rezerva që BE-ja i njeh, por kjo është alternativa më e mirë për të mbrojtur jo thjesht dinjitetin e një personi, por integritetin e Europarlamentit, tribuna më e fuqishme morale. Ndaj, leja për Belerin ishte e drejtë dhe shenjë e mirëpritur e ”vullnetit të mirë”.
© 2024 Argumentum