“Shërbimi Informativ Shtetëror ka zbuluar operacione kundër Shqipërisë nga inteligjenca ruse dhe serbe”. Informacioni ju dha Kuvendit të Shqipërisë nga drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, e cila raportoi në Komisionin e Sigurisë.
“Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, spiunazhin, ku përfshihet kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera, me qëllime armiqësore në raport me Shqipërinë.”-tha ajo.
Në pjesën e shkurtër të raportimit me dyer të hapura, Hyseni tha shërbimet sekrete kanë ndihmuar policinë dhe prokuroritë të luftojnë krimin.
“Kemi rritur bashkëpunim dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese referuar kompetencës së tyre lëndore, si me SPAK, BKH, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera.” –përfundoi Hyseni.
Mbledhja e komisionit të sigurisë vijoi me dyer të mbyllura, për arsye të sekretit që SHISH mbart në këtë raportim vjetor.