Lojërat Olimpike “Paris 2024” kanë nisur zyrtarisht, përmes një ceremonie hapëse në lumin Senë, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Rreth 85 anije që do të bartin gati 7 000 atletë, zhvilluan një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e Parisit.
Nisja e varkave mori udhën prej urës Austerlitz. Anijet me skuadrat olimpike lundruan rreth katedrales Notre-Dame, për të arritur më pas afër Kullës Eiffel, si dhe nën shumë ura të tjera që gjenden rreth qendrës së kryeqytetit francez. Ceremonia nisi në orën 19:30.
Të parët që kryen parakalimin ishin skuadra olimpike e Greqisë, dhe asaj të veçantës, Skuadrës Olimpike të Refugjatëve. Më pas erdhi dhe radha e skuadrës olimpike kuqezi. Skuadra Olimpike e Shqipërisë parakaloi me varkë para të pranishmëve, sipas organizatorëve, mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë.
Në varkën ku ndodhej Kombëtarja jonë olimpike ishin gjithashtu edhe Afrika e Jugut, Algjeria dhe Gjermania.
Skuadra olimpike shqiptare përbëhet nga 10 të sportistë. Katër janë sportistë të kualifikuar në këtë turne; atletja Luiza Gega do të garojë në 3000 m me pengesa, ndërkohë mundësit e stilit të lirë Zelimkhan Abakarov (pesha 57 kg), Islam Dudaev (pesha deri në 65 kg) dhe Chermen Valiev (pesha 74 kg) kanë pritshmëri. Ndërkohë që 4 sportistë të tjerë e kanë siguruar pjesëmarrjen me ftesa: Franko Burraj në atletikë 100 m, Manjola Konini në qitje, në disiplinat 25 m pistol dhe 10 m air pistol, si edhe notarët Kaltra Meça 200 m stil i lirë dhe Grisi Konxhaku 100 m stil i lirë.
Sipas kalendarit, e para garon Konini në 27 korrik dhe pas saj Meça në 28 korrik e Koxhaku në 30 të po këtij muaji. Pastaj vijnë me radhë Franko Burraj në 3 gusht në atletikë, Gega në 4 gusht, ndërsa mundësitë janë sipas radhës Abakarov në 8 gusht, Valiev në 9 dhe Dudaev në 10 gusht.