Boshko Jakshiç-[i]
Presidenti turk Erdogan e krahasoi kryeministrin izraelit Netanjahu me Hitlerin, Izraeli i dërgon mesazh se do të përfundojë si Sadami.
Presidenti turk është i njohur për atë se di të shprehë kërcënime djegëse – të cilët në fakt nuk i realizon, por ama më vonë di t’i shesë mirë politikisht ose financiarisht.
Çfarë qëndron pas deklaratës së Rexhep Taip Erdoganit se Turqia do të “hyjë në Izrael” për të mbrojtur palestinezët, sikurse ushtria turke vitin e kaluar ndërhyri në anën e Azerbajxhanit duke i mundësuar pushtetit në Bakù të dëbojë armenët nga enklava e Nagorno-Karabahut, ose sikurse trupat ekspeditive turke në vitin 2020 ndërhynë në Libi në anën e qeverisë së bashkimit kombëtar të njohur ndërkombëtarisht?
“Duhet të jemi shumë të fortë në mënyrë që Izraeli të mos jetë në gjendje t’ua bëjë këto gjëra të tmerrshme palestinezëve… Nuk ka arësye përse të mos e bëjmë këtë”’ tha Erdogani duke mos saktësuar se për çfarë lloj ndërhyrjeje mendonte të bënte kundër vendit të cilin ai e cilëson si kërcënim për tërë njerëzimin, dhe jo vetëm për Palestinën apo Libanin, “Ky genocid, ky brutalitet, ky barbarizëm duhet ndalur menjëherë nëpërmjet një aleance të njerzimit para se të jetë vonë”.
Kjo ishte e mjaftueshme që raundi retorik i presidentit turk të nxiste një rritje temperature në një kohë kur lufta në Gaza nuk po shterron, konflikti mes Izraelit dhe Iranit, i afërt me hejzbollahët, po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, ndërsa frontet e konflikteve shtrihen nga Siria deri në Jemen. Ndërsa diplomacia botërore fton Izraelin dhe Iranin për vetëpërmbajtje nga konfliktet, Ergodani mbështetet në nxitjen e tij.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve qëkur dominon në politikën turke, Erdogani ka arritur të vendosë me Izraelin njëfarë bashkëpunimi të ngushtë në kuadrin e aleancës rajonale, por ajo është prishur seriozisht këto dhjetë vitet e fundit – gjë që përputhet me kohën në të cilën marrëdhëniet e mira me shtetin hebrè harmonizohen me vështirësi me ambicjet e presidentit që të jetë lider i botës muslimane, mbrojtësi kryesor i palestinezëve dhe zëri i ndërgjegjes së tërë njerëzimit.
Që nga shpërthimi i luftës në Gaza shkëmbimi i barazheve të fyerjeve të rënda është bërë normë. Erdogani është tani një prej kritizerëve kryesorë të Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanjahu të cilin e përshkruan se “vampir të etur për gjak”, ndërsa e akuzon për genocid si “terrorist”. Ka tërhequr ambasadorin dhe ka ndëprerë çdo lloj tregtie me Izraelin.
“Është tragjike që vendi i cili bën thirrje për lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë është bërë rob i një individi të sëmurë mendërisht si puna e Netanjahut”, shfryn Erdogani i cili mendon se palestinezët dhe Hamasi nuk mbrojnë vetëm vendin e tyre por edhe Anadollinë e cila, heret apo vonë, mund të jetë vendi pasardhës i synimeve pushtuese izraelite.
Izraeli nuk i’a fal turkut mbështetjen dhënë Hamasit proiranian. Në mënyrë të veçantë takimi i presidentit me liderin politik të sapovrarë të grupit islamik pzlestinez Ismail Hanijè në muajin prill të këtij viti në Stamboll. Atëbotë u fol se Hamasi do ta sjellë shtabin e tij politik në Turqi nga Katari, gjë që më vonë u përgënjështrua.
Raundi i fundit u hap kur shefi i diplomacisë izraelite, Israel Katz në rrjetin X publikoi një imazh provokativ që e tregon Erdoganin si një bebe që qëndrontw në gjunjët Komandatit të lartë iranian Ajatollah Ali Khamenei. Në deçiturë shkruhej: “Erdogani e ka shndërruar Turqinë në një vend që mbështet terrorizmin dhe në emër të çfarëdo ideologjie ekstreme dhe antisemitizmit të qartë e ka përfshirë Turqinë ne Boshtin iranian të së keqes.
Nuk u desh të pritej gjatë për përgjigjen e Ministrisë së punëve të jashtme të Turqisë ndaj “propagandës së ndyrë” të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. “Fundi i genocidistit Netanjahu do të jetë njëlloj si fundi i genocidistit Adolf Hitler. Ashtu sikur nazistët genocidistë u detyruan të japin llogari, ashtu do të detyrohen të bëjnë edhe ata që përpiqen të asgjësojnë palestinezët”.
Këshilltari kryesor për politikën e jashtme të presidentit turk, Akif Çatagaj Kilic shton se, ndërsa Erdogani do të mbrojë të shtypurit, “vrasësit vazhdojnë të bëjnë çmendurira”. Parlamenti turk miratoi një tekst të veçantë në të cilin kritikohen amerikanët sepse i kanë dhënë mundësinë Netanjahut para disa ditësh të flasë para dy dhomave të Kongresit. “Kriminelët e luftës duhet të flasin nga banka e të akuzuarve të gjykatave ndërkombëtare dhe jo nga foltorja e parlamentit”.
Izraelitët nuk qëndrojnë duarkryq në parashikimin e fatit të Erdoganit dhe “syrit të keq” i cili do ta vështrojë atë në traditën e gjërë të të bestytnive të Lindjes së Afërme. Ministri Katz solli në kujtesë fatin e dikatotorit të përmbysur dhe pastaj të varur iraken i cili gjithashtu e kishte kërcënuar Izraelin. “Erdogani ndjek gjurmët e Saddam Husseinit. Le ta lëmë të kujtohet se çfarë i ka ndodhur dhe si përfundoi”.
Përkundër gjithë këtyre, paralajmërimi i Turqisë mbi “hyrjen” në Izrael është gjithsesi larg konkretes, gjë që nuk do të thotë se Ankaraja nuk do të ndalë angazhimet luftarake konkrete, sikurse është parë në Nagorni-Karabah dhe në Libi. Turqia kontrollon rreth dhjetë përqind të territorit sirian ku mban ushtarë për të bllokuar kurdët, ndërsa tani që i ka ashpërsuar marrëdhëniet me Izraelin, Erdogani haptazi mbështet dialogun me Bashar al-Assadin, rrëzimin e të cilit e pati mbështetur në fillim të luftës civile në Siri në vitin 2011. Nëse hap front me Izraelin, i nevojitet paqa me Sirinë gjë e cila do të ndryshonte në favor të tij rreshtimin gjeopolitik.
Cila është pra mundësia që Turqia, si anëtare e NATO-s, ta sulmojë Izraelin i cili është aleati më i afërt i Amerikës në Lindjen e Mesme? A mundet Turqia, pa marrë parasysh faktin se ka ushtrinë e dytë më të fortë në Aleancën Veriatlantike, të guxojë të rrezikojë një konflikt me Izraelin i cili është fuqi bërthamore?
Perspektiva e invazionit është pothuajse zero, por kjo nuk e pengon Izraelin të përpiqet të kapitalizojë me kërcënimet e Erdoganit. Kërkon që Turqia të përjashtohet nga NATO-ja. Diplomatët izraelitë kanë marrë instruksione që të punojë me të gjithë anëtarët e aleancës për këtë çështje. Në këtë punë janë përfshirë edhe aleatët djathtisë europianë të kryeministrit konservator izraelit dhe kabinetit të tij të sionistëve religjozë, nacionalistëve radikalë dhe hebrejve ultraortodoksë. “Islamofashisti Erdogan kërcënon me invazion të Izraelit. Ky njeri është plotësisht i çmendur. Turqia duhet hedhur jashtë NATO-s”, shkruan djathtisti hollandez Geert Wilders.
Nuk është hera e parë ë Erdogani me deklarata e tij të hidhura ose me bashkëpunimin me Rusinë i shqetëson shumë aleatët e NATO-s, por ta përjashtosh Turqinë nga aleanca ushtarake perëndimore është tërësisht joreale. Sepse Turqia është shumë e rëndësishme për Krahun Jugor të saj. Erdogani e di mirë këtë. Mbetet vetëm të shohim nëse kërcënimet e tij janë ekskluzivisht në traditën e ambicjeve personale gjeostrategjike, ose, në traditën e mirë merkantile, synon që diçka të përfitojë prej tyre.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/pogledi-zlog-oka-973499