Më 6 gusht 1916 lindi Madhëria e Saj Mbretëresha Geraldinë e Shqiptarëve.
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, në ditën e saj të lindjes, mbretëreshën Geraldina..
Ajo vinte prej një familjeje shumë të njohur hungareze, origjina e së cilës datonte e dokumentuar qysh nga periudha e Mesjetës, kur Hungaria u pushtua nga arpadët, në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze, nën dinastinë arpadiane. E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, konteshë Geraldina u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës, në Austri, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare.
Konteshë Geraldina iu përkushtua me gjithë shpirt skenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.
Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldina, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. MSM kontriboi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. MSM u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. MSM punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria një numër të madh mjekësh për drejtimin e Spitalit Ushtarak. MSM kontriboi në ngritjen e maternitetit të parë shqiptar në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Gjithashtu, Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik në Radio Tirana.