Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali iu përgjigj sot përmes një shkrese zyrtare pretendimeve të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sipas së cilit mbledhja e Këshillit për Legjislacionin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, është akt antikushtetues.
Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit u thirr me urdhër të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10 korrik 2024, të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e deputetes Xhaçka.
Duke cituar Rregulloren e Kuvendit, Spiropali u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.
“Këshilli analizon dhe diskuton sipas përcaktimeve të bëra në këtë rregullore, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli harton një raport dhe ia paraqert atë Kryetarit të Kuvendit”, shtoi Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit nënvizon se “Këshilli për Legjislacionin është organi i Kuvendit i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë dhe harton një raport të cilin ia paraqet Kuvendit”.
“Për rrjedhojë kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrje të Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit të Legjislacionit, i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin e nenit 74, pika 3 të Kushtetuës dhe Rregullores së Kuvendit”, u shpreh Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit njoftoi se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin.
“Ky trajtim nuk cenon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas përcaktimit në dispozitën e tij, as parashikimin në ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku parashikohet se ‘kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë’”, argumentoi Spiropali.