EDITORIAL
Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi janë të ndërthurura nga një ndjenjë e përzier historike-diplomatike, që herë pas here shoqërohen me nota skepticizmi sapo afrohemi me njëra-tjetrën.
Shqipëria ka qenë për 500 vjet nën sundimin Osman, deri në vitin 1912 kur u shpall dhe Pavarësia nga Perandoria Osmane. Një fakt historik që për hirë të së vërtetës, Turqia zyrtare e shmang.
Megjithatë, shqiptarët nuk mund ta harrojnë historinë e tyre dhe ajo nuk mund të rishkruhet e as të retushohet pavarësisht interesave strategjike gjeopolitike të kohës së sotshme.
Gjithsesi, ky nuk është rasti për të folur për të kaluarën tonë historike ndërmjet dy vendeve tona, por le të flasim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë së sotshme, në periudhen e tyre të dytë historike e cila tashmë i ka shënuar plot 100 vjet dhe që përfshin marrëdhëniet Turqi-Shqipëri pas vitit 1923, pra pas themelimit të Republikës së Turqisë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Ataturk.
Në shekullin e parë të këtyre marrëdhënieve diplomatike, partneriteti mes dy vendeve ka kaluar në partneritet strategjik dhe vëllazëror.
Duke qenë se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi e marrin fuqinë e tyre nga historia e përbashkët dhe lidhjet e forta sociale dhe kulturore, bazuar në këtë sfond të rrënjosur thellë, marrëdhëniet dypalëshe u ngritën në Partneritet Strategjik. Ky partneritet u formalizua me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët Politike për Krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë nga Presidenti Z. Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministri Z. Edi Rama, më 6 janar 2021, në Ankara.
Përpos marrëveshjeve zyrtare bilateriale, dhe bashkërendimit në arenën ndërkombëtare, janë marrëdhëniet njerëzore që e përforcojnë këtë partneritet. Duhet thënë se nga populli shqiptar nuk harrohet kontributi dhe ndihma e Republikës së Turqisë në tërmetin e datës 26 nëntor 2019 që goditi qarkun e Durrësit dhe Tiranës. Një mirënjohje e përjetshme!
Por ka një boshllëk që ende nuk është mbushur dhe që i trazon marrëdhëniet mes Tiranës dhe Ankarasë zyrtare.
Tentativa për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, vendos në sprovë këto marrëdhënie. Qeveria e Turqisë akuzoi Fethullah Gülen dhe ndjekësit e tij si përgjegjës për planifikimin dhe organizimin e grushtit të shtetit, duke e quajtur këtë grup “Organizata Terroriste Fethullahiste” (FETÖ), dhe ndërmori masa të ashpra për të ndëshkuar ata që ishin të përfshirë në grushtin e shtetit, jo vetëm brenda Turqisë, por dhe jashtë saj, sidmos në rajonin tonë.
Që atëherë, sa herë flitet për përforcim të marrëdhënieve Shqipëri-Turqi, menjëherë shoqërohet me një kërkesë nga Erdogan. Kërkesa për veprime të caktuar ose angazhime nga ana e Shqipërisë, duke bërë që kjo dashuri vëllazërore që ai proklamon të vije e kushtëzuar për “vëllezërit shqiptarë”.
Kështu u lexua në fakt dhe biseda më e fundit telefonike ndërmjet Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit Rama.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi me date 8 gusht një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Lajm që u bë me dije vetëm nga Drejtoria e Komunikimit të Turqisë, ndërsa nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë nuk ka pati asnjë reagim.
Presidenti turk ka vlerësuar marrëdhëniet Turqi-Shqipëri raporton media turke “Anadolu Agency”, ato janë në një nivel të avancuar. Erdogan i ka thënë Ramës se edhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake.
Ai është ndalur dhe të një nga kërkesat e hershme ndaj Shqipërisë, duke insistuar që vendi ynë të mbyllë institucionet arsimore, spitalet dhe institucionet fetare që kanë lidhje me Fondacionin Gylen, i drejtuar nga kundërshtari i tij në ekzil Fethullah Gülen.
Në këtë telefonatë Presidenti turk iu referua “përpjekjeve frustruese të organizatës terroriste FETO për të fituar terren në Shqipëri”, si dhe shprehu besimin se Tirana do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët arsimor, shëndetësor dhe fetar, thuhej ndër të tjera.
Një kërkesë jo e panjohur për Tiranën zyrtare, e cila sikundër e theksuam më sipër, qëndron si “çekan” mbi qeverinë shqiptare në çdo vizitë zyrtare që zhvillohen mes dy vendeve, apo në çdo angazhim tjetër diplomatik.
Edhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, vijon ta konfirmojë këtë kërkesë:
“Partneriteti strategjik do të vazhdojë, siç ju e thatë me të drejtë, Shqipëria ka blerë nga Turqia, dronët BAYRAKTAR, këto marrëdhënie do të vazhdojnë”. Kështu i është përgjigjur ambasadori i Turqisë nga Korça, pyetjes se Euronews Albania mbi telefonatën e Ramës me Erdogan.
I pyetur lidhur me organizatën FETO të shpallur si terroriste nga Turqia, ambasadori Tayyar Kağan Atay u shpreh se FETO nuk është rrezik vetëm për Turqinë por edhe për Shqipërinë ndaj pastrimi i tyre nga institucionet arsimore dhe fetare duhet të jetë vendimtar.
“Lidhur me organizatën FETO duhet te pyesni kryeministrin Edi Rama se si është përgjigjur në telefonatë por mund të them se pjesa e pastrimit të FETO-s nga Shqipëria nuk është vetëm çështje e Turqisë, është edhe çështje e shtetit shqiptar, ata janë të rrezikshëm. Ky pastrim nuk duhet të bëhet vetëm për Turqinë por edhe për një të ardhme më të sigurt të vendit tuaj. Do të marrim përfundimet për këtë temë, ka zhvillime. Dua të theksoj se FETO nuk do jetë pengesë për vazhdimin e partneritetit miqësor të të dyja vendeve. Nuk do lejojmë që të helmojnë miqësinë midis dy shteteve. Kjo është punë që ne do t’i shkojmë deri ne fund”, u shpreh ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.
E pra, siç e pamë dhe në zbardhjen e kësaj telefonate, vijon të përsëritet kërkesa dhe ultimatumi ndaj Shqipërisë për Gulenistet.
Prej disa vitesh, në çdo vizite zyrtare nga pala shqiptare në Turqi apo nga pala turke në Shqipëri, Presidenti Erdogan ka kërkuar me këmbëngulje që kryeministri Rama të pengojë çdo funksion të organizatës FETO nga KMSH, arsimi drejtësia, policia e shëndetësia. Ndërsa nga njëra anë të zgjasin dorën për partneritet, në anën tjetër e kushtëzojnë atë me kërkesa që bien ndesh me direktivat ndërkombëtare.
Po sjellim një kronologji të takimeve zyrtare bilateriale ku është theksuar kjo kërkesë;
2021- Takimi Erdogan-Rama në Ankara
Me ftesë të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar u prit me ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial nga Presidenti Erdoğan. Gjatë kēsaj vizite u nënshkruan një sërë marrëveshjesh me rëndësi për ngritjen në njē stad të ri të partneritetit strategjik e të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Një nga pikat kryesore të agjendës së takimeve tona ishte bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit dhe në fushat ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Ne, bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi se organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, theksoi Presdienti Erdogan
2022- Presidenti Erdogan vizitë zyrtare në Shqipëri
Gjatë vizitës së tij në shtetin shqiptar, Erdogan tha se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri gjen fushëveprim, Lëvizja Hizmet.
“Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, tha Erdogan para Kuvendit të Shqipërisë më 17 janar 2022.
2024-Vizita e Ministrit të Jashtëm turk në Tiranë Hakan Fidan
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, përmendi gjatë vizitës së tij në Tiranë atë që e quajti “pastrim i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Në deklaratën pas takimit të tij me homologun shqiptar Igli Hasani, kreu i diplomacisë turke u shpreh se kishte vënë në dukje “ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”. Duke diktuar edhe njëherë veprimet që duhet të ndërmarrë Shqipëria.
2024- Kryeministri Rama vizitë zyrtare në Turqi
Gjatë këtij viti, në një takim të nivelit të lartë, Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i shtetit shqiptar u prit nga Presidenti Turk Rexhep Tayip Erdogan në kompleksin presidencial në Ankara.
Një takim kokë më kokë u zhvillua me Erdogan dhe Ramës në zyrën e presidentit turk. Në konferencën e përbashkët, presidenti turk tha se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ngrihen në një tjetër nivel ku objektivi i volumi tregtar të shkojë 2 miliard $.
Ankaraja këmbëngul në betejën që ajo e quan ‘pastrimi i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”- theksoi Erdogan.
Megjithëse Shqipëria ka tentuar të mbaje një qëndrim të balancuar dhe ka bërë përpjekje për të menaxhuar kërkesat e mësipërme, në disa ka dështuar përballë presionit turk duke bërë shkelje flagrante.
Porositë që ka kryer deri tani qeveria shqiptare sipas kërkesave të Turqisë:
Shqipëria urdhëroi dëbimin për herë të parë të një anëtari të lëvizjes Gulen në Turqi, mbrëmjen e 1 janarit 2020, duke ngritur shqetësime për dhunim të të drejtave themelore të njeriut. Pas publikimit në rrjetet sociale për dëbimin e Harun Çelik, një orë më vonë, Policia e Shtetit e konfirmoi se po “ka dëbuar” Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues.
Në shtator 2020, qeveria mbylli edhe disa institucione të tjera arsimore fetare dhe laike të ngritura me financime turke.
Mbyllja brenda një dite e medreseve “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë dhe “Ali Korça” në Kavajë, si dhe institucionit parauniversitar “Memorial International School of Tirana”, që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education” nuk pati një arsyetim publik, por agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” i quante të lidhura me “strukturat e organizatës terroriste FETO”.
Në vitin 2022, Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili funksiononte si kolegj për vajza dhe djem dhe financohej nga fondacioni “Gulistan” i lakuar për lidhjet me klerikun turk Fetullah Gylen, i cili operonte në Tiranë që 26 vjet dhe që është pjesë e Fondacionit Gülistan.
Në të njëjtën ditë me vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif” në Tiranë që ëshë i themeluar nga Lëvizja Gulen dhe pak ditë pas mbylljes së një kopshti privat për fëmijë, “Zubeyde Hanim” që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se gjatë takimit të fundit me Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, ka folur për marrëveshjen e furnizimit me dron “Bayraktar”.
Kështu gjatë një interviste për “Opinion” në atë kohe, Rama konfirmoi se Shqipëria do të marrë 6 dron nga Turqia, të cilët do të përdoren për shërbime civile.
Nuk dihet nëse vendimi për të mbyllur këto institucione arsimore i ka hapi rrugë blerjes së droneve Bayraktar nga Turqia, por gjithsesi në kronologjinë veprimeve të njëpasnjëshme na bën të dyshojmë se këto marrëdhënie dhe ky partneritet Shqipëri-Turqi është i kushtëzuar.
Edhe Xhamia e madhe e Namazgjasë raportohet nga qarqe të caktuara në Shqipëri dhe Turqi, se mbahet peng nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Në fakt, ajo do inaugurohej në fund të Ramazanit të vitit 2022, por akoma besimtarët vazhdojnë të mos falen aty.
“Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt, mbase deri në muajin e Ramazanit, ta kemi zgjidhur dhe problemin e xhamisë së Namazgjasë”, deklaroi Erdogan në janar të vitit 2022 në Tiranë.
Ai shmangu nga vizita në janar të 2022 çdo kontakt me Komunitetin Mysliman Shqiptar, kreu i së cilit Bujar Spahiu, që për të është një pinjoll i Fetullah Gylenit. Tensionet mes KMSH dhe Erdogan, si dhe mos përmbushjes së pretimit nga ana e kryeministrit për të shfarosur “gylenistët”, duket se ishin arsyet kryesore pse është shtyrë edhe inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.
Ende sot, kjo Xhami nuk i ka hapur dyert për besimtarët e saj!
Sa më sipër, të gjitha këto lëvizje, kërkesa dhe ultimatume minojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Së pari, Lidhur me kërkesën e padrejtë që drejton në çdo rast Turqia, ajo shkel Konventen Europiane të Ekstradimit ku sigurisht Shqipëria e ka firmosur. Konkretisht nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore, ku shprehimisht shkruhet: “Askush nuk mund të hiqet, dëbohet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese”.
Së dyti, Shqiperia nuk e cilëson si organizatë terroriste, Fetullah Gulen, dhe nuk ka asnjë tagër që të largojë, dëbojë asnjë përkrahës, apo ndjekës të tij. Aq më tepër nga institucionet ligjzbatuese të vendit tonë nuk është sinjalizuar që kjo organizatë apo individë të lidhur me të përbëjnë kërcënim për Shqipërinë.
Se treti, Presioni Politik dhe Mediatik. Prej 8 vitesh çështjet e lëvizjes së Gülenit dhe kërkesat për ekstradim janë bërë pjesë e diskutimeve dhe presioneve mediatike dhe politike, duke shenjëstruar si “gylenistë” këdo që ka mendim ndryshe nga Ankaraja zyrtare për Ish-mikun e Erdogan, Fetullah Gulen. Duke ndikuar kësisoj drejtpërdrejtë edhe në perceptimin publik të marrëdhënieve Shqipëri-Turqi.
Padiskutim, Shqipëria dhe Turqia duhet të konsolidojnë dhe thellojnë më tej Partneritetin e tyre Strategjik, si dy vende të lidhura nga historia, si anëtare të NATO-s dhe si partnerë që po forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat në nivel dypalësh, rajonal apo dhe global.
Megjithatë, çdo kushtëzim ose ultimatum që minon demokracinë dhe shtetin ligjor shqiptar, rrezikon të dëmtojë këtë partneritet jo vetëm strategjik por dhe vëllazëror.
© 2024 Argumentum