Shqipëria ka fituar medaljen e parë në lojërat Olimpike “Paris 2024”. Mundësi me origjine ruse, Chermen Valiev, i dhuron Shqipërisë medaljen e parë në historinë e Lojërave Olimpike.
Mundësi Valiev mposhtinë finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg. 25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin.
Kjo është një ditë historike për sportin shqiptar, që merr medaljen e parë në një Olimpiadë në sportin e mundjes.
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas fitores së medaljes së bronzit nga mundësi kuqezi, Chermen Valiev, në lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Kryeministri Rama, në një postim në rrjetet sociale vlerësoi punën e kryer nga Komitetit Olimpik Shqiptar.
“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë thekson se “e vërteta është që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë”, nënvizon Rama.
Ai mbyll postimin duke falenderuar mundësin Valiev për rezultatin e arritur: “Faleminderit kampion”.
Kush është Chermen Valiev, rusi që i dha Shqipërisë medaljen e parë Olimpike në histori?
Chermen Akhsarbekovich Valiev ka lindur më 10 dhjetor 1998 në Osetinë e Veriut në Rusi dhe aktualisht është një mundës i stilit të lirë që garon në 74 kilogramë për Shqipërinë.
Për vendlindjen e tij, Rusinë, Valiev ka fituar një titull kampion bote dhe një Evropian për U23, një kampion kombëtar rus dhe është fitues i shumëfishtë medaljeve të arit në turnetë ndërkombëtare.
Që nga transferimi në Shqipëri në vitin 2024, Valiev u kualifikua për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris duke u renditur i treti në Turneun Olimpik Botëror të Kualifikimit.