Në Maqedoni, aty ku Arbëri la më së shumti gjurmë, në botën e intelektualizmit dhe politikës, asnjë institucion kulturor, arsimor, infrastrukturor, shesh… nuk mbanë emrin e tij, madje as që ka ndonjë iniciativë, përveçse së fundmi – diletantë politik të paditur përmendin emrin e tij gjoja si trashëgimi politike për të efektuar pikë dhe politika ditore
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 15 gusht – Dymbëdhjetë vjet nga vdekja e Arbën Xhaferit dhe asnjë nderim institucional dhe shtetëror në Maqedoninë e Veriut nuk i është bërë njërit ndër personalitetet më të ngritur intelektualist ndër shqiptarët dhe më gjerë. Jo vetëm nga pala maqedonase, por edhe partitë shqiptarë – që të gjitha kanë qenë indiferentë për vlerësimin e merituar të figurës dhe veprës së Arbën Xhaferit. Përveç ndonjë lule në ditën e lindjes dhe të vdekjes në varrin e tij në Tetovë, asnjë iniciativë serioze për të emëruar ndonjë institucion politik apo kulturor nuk është ndërmarrë. Deklarata dhe zotime ka patur, por asgjë konkrete.
Jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria shqiptare dhe ajo maqedonase, duket sikur ka një marrëveshje të heshtur që figura e Arbënit, mundësisht të mos përmendet fare, thotë botuesi i gazetës KOHA, gazetari Arben Ratkoceri.
“Adem Jashari, Hasan Prishtina, Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi janë personalitetet kryesore, emrat e të cilëve mbajnë katër asetet kryesore të Kosovës, Aeroporti, Universiteti dhe dy autostradat. Në Maqedoni, aty ku Arbëri la më së shumti gjurmë, në botën e intelektualizmit dhe politikës, asnjë institucion kulturor, arsimor, infrastrukturor, shesh… nuk mbanë emrin e tij, madje as që ka ndonjë iniciativë. Jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria shqiptare dhe ajo maqedonase, duket sikur ka një marrëveshje të heshtur që figura e Arbënit, mundësisht të mos përmendet fare”, thotë Ratkoceri, ndërsa shton se, që ta kuptojmë se sa i pazëvendësueshëm është Arbëri dhe sa poshtë na ka ra “pazari”, mjafton të shohim se kush po e zëvendëson sot në skenën e përgjithshme politike shqiptare në Maqedoni..
Megjithatë, thotë Ratkoceri, trashëgimia e Arbënit herë pas here sikur nuk na le të qetë e sidomos sapo të futemi nga Shkupi në Kosovë, “kur na del para syve dhe si për inat të të gjithëve – është Arbëri i pari që na dëshiron mirëseardhje (autostrada Prishtinë-Hani i Elezit)”.
Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, njëherësh lideri që thirret më së shumti në trashëgimin e Xhaferit, është mjaftuar me një status në profilin e tij në Facebook. “Pavarësisht se kanë kaluar 12 vjet nga largimi i tij, humbja e Arbën Xhaferit është e ndjeshme njësoj… Respekte të përjetshme për mikun dhe mentorin tonë e për gjigandin e politikës që na ka lënë shumë për të mësuar e kuptuar…. Misioni yt vazhdon i paharruari Arbër Xhaferi!”, shkruan Taravari.
Ky i fundit, në dy mandate ka qenë kryetar i Gostivarit dhe iniciativë për të emëruar qoftë edhe një rrugicë të vogël me emrin Arbën Xhaferi, nuk ka marrë asnjëherë. Edhe si ministër në Qeveri, e tash edhe si lider parti në koalicion qeveritar, nuk ka ndonjë iniciativë për vlerësimin tamam të figurës së Xhaferit.
Në ndërkohë, në 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të Xhaferit, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, kreu homazhe dhe vendosi kurorë me lule tek varri i të ndjerit. Duket se edhe Thaçi, pasuesi i Xhaferit, për dymbëdhjetë vite me radhë, mjaftohet vetëm me vizitën në vendin ku pushon trupi i kryetarit të parë të PDSH-së. Iniciativë për vlerësim të figurës së Xhaferit nuk ka patur as edhe nga tre universitetet shqiptare në vend, sikurse nuk ka patur edhe nga institucionet tjera kulturore, shoqërore e politike shqiptare. Ajo që nuk po bëhet në Maqedoni, ndodhi në Kosovë. Prishtina zyrtare e ka emëruar autostradën 80-kilometërshe Prishtinë-Hani i Elezit me emrin “Arbën Xhaferi” – një vendim i madh ky i marrë nga Qeveria e asaj kohe në Kosovë.
Ndryshe, Arbën Xhaferi u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.
Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. Ndërroi jetë më 15 gusht 2012. (koha.mk)