Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha vlerësoi sot operacionin e AMP-së në bashkëpunim me SPAK, për arrestimin e shefit të antidrogës në Durrës.
“Ky operacion është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor”, u shpreh ministri.
Hoxha mbështeti dhe inkurajoi AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxiti dhe garantoi qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla.
“Vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor”, u shpreh ministri
Kujtojmë se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë Gazmir Precin me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Prenci duke shfrytëzuar funksionin e tij, i ka kërkuar 20 mijë euro pronarit të një lokali dhe i ka marrë atij 10 mijë euro, duke e shantazhuar se do ti bllokonte aktivitetin.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), pas hetimeve intensive të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Kryekomisar G.P., me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke aplikuar metoda speciale, si rezultat i të cilave u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë. Hetimet vijojnë pë dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.