Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe të drejtësisë që t’i fillojnë hetimet ndaj gazetarit Berat Buzhala dhe mediumit që ai drejton “Nacionale”, për siç ka thënë propagandën e nisur ndaj familjes së saj, sipas raportimit të RTK.
Reagimi i presidentes vjen pas publikimit të një artikulli nga ‘Nacionale’ lidhur me rastin e vrasjes së mbrëmshme në Ferizaj, ku u vra një 89 vjeçar, e ku ‘Nacionale’ thekson se i vrari është axha i bashkëshortit të presidentes dhe pretendon se motivi që çoi në vrasjen e tij lidhet me pedofili. Po ashtu, sipas pretendimeve të këtij portali presidentja dhe bashkëshorti i saj kishin njohuri lidhur me këtë rast.
Presidentja ka thënë se nga raportimet e tilla ndihet e rrezikuar për jetën e saj dhe të familjes.
“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi. Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me ‘Nacionalen’, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”, thekson presidentja në reagimin e saj.
“Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”, ka shtuar e para e shtetit.
Tutje Osmani ka ftuar organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e portalit në fjalë dhe portaleve të ngjashme, e që sipas saj “kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”.
Ndërkaq, pas këtij reagimi të presidentes përmes një postimi në Facebook ka reaguar edhe gazetari Berat Buzhala.
“Presidentja Osmani mu paska turre me nje postim ne FB, se koka tu ni e rrezikume. I paska ftu organet e sigurise me me hetu. Ok. Edhe pas ketij kercenimi direkt nga vogelsia e saj, Vjosa Osmani, une vazhdoj mos me u ni qaqqqqqq shume i rrezikume. Sido qe te jete, rrini ne lidhje. Dikur prej akshamit do t’i pergjigjna me nje video. Do ti kallxoj Zonjes Presidente se vajzat e dhunume prej axhes se Prindonit, kur ato e kane pase moshen e vajzave te mia dhe vajzave te saj, jane ma te rendesishme se une e Vjosa. Do t’i kallxoj se ajo e Prindoni, bashke me djemte e axhes Prindonit, jane kane pjese e nje grupi ne FB, ku viktimat kane kerku drejtesi. Do t’i tregoj asaj qysh ne ate bisede, jo qe nuk kishte empati per to, por ato ofendoheshin. Une kam bisedu me ato gra, qe tash jane te martume”, ka shkruar Buzhala.
Ndaj thirrjes së presidentes për hetim ndaj gazetarit Buzhala dhe portalit ‘Nacionale’ ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“AGK e konsideron si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen eksplicite të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për hetime ndaj medieve, posaçërisht gazetës Nacionale dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala. Një një postim publik sot, Presidentja në së paku dy raste u bën thirrje, si organeve të sigurisë edhe atyre të drejtësisë, që të hetojnë median në fjalë, pas publikimit të një lajmi rreth vrasjes së një personi mbrëmë në Ferizaj. Për më tepër, akuza e përsëritur se mediat punojnë për Serbinë, është e papranueshme, dhe më e rrezikshme kur vjen nga kreu i shtetit. AGK-ja e fton presidenten Osmani që për pakënaqësitë eventuale me raportimin t’i drejtohet me ankesë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas këtij asociacioni është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e Etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve F.R. dhe J.M. për vrasjen e 89-vjeçarit në Bibaj të Ferizajt të premten në mbrëmje.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave ‘Fan Palace’, në rrugën ‘Engjëll Zefi’, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.