Sulmet izraelite në Gazë vranë 19 veta gjatë natës, mes tyre një grua dhe gjashtë fëmijët e saj, teksa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis për në rajon të dielën, në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pas muajsh negociatash të vështira.
Shtetet e Bashkuara dhe dy vendet tjera ndërmjetësuese, Egjipti dhe Katari, dukej se po i afroheshin një marrëveshjeje pas dy ditë bisedimesh në Doha, me zyrtarët amerikanë dhe izraelitë që shprehnin optimizëm të kujdesshëm. Por, Hamasi ka sinjalizuar rezistencë ndaj atyre që thotë se janë kërkesa të reja nga Izraeli.
Propozimi kërkon një proces në tre faza dhe sipas tij Hamasi do të lirojë të gjithë pengjet e rrëmbyera gjatë sulmit të tij të 7 tetorit, i cili shkaktoi luftën më vdekjeprurëse të zhvilluar ndonjëherë midis izraelitëve dhe palestinezëve. Në këmbim, Izraeli do të tërhiqte forcat e tij nga Gaza dhe do të lironte të burgosurit palestinezë.
Ndërmjetësuesit shpresojnë t’i japin fund luftës q[ ka lënë mbi 40,000 palestinezë të varrë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, ka zhvendosur shumicën dërrmuese të 2.3 milionë banorëve të territorit dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare. Ekspertët kanë paralajmëruar për urinë dhe shpërthimin e sëmundjeve si poliomieliti.
Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 veta, kryesisht civilë, në sulmin e 7 tetorit dhe rrëmbyen rreth 250 veta. Prej tyre, rreth 110 besohet se janë ende brenda Gazës, ndërsa autoritetet izraelite që thonë se rreth një e treta janë të vdekur. Më shumë se 100 pengje u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor.
Bombardimet e fundit izraelite përfshinin një sulm të dielën herët në një shtëpi në qytetin qendror të Deir al-Balah që vrau një grua dhe gjashtë fëmijët e saj, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa. Një reporter i agjencisë së lajmeve Associated Press, numëroi trupat në spital.
Një sulm në qytetin verior të qytetit Jabaliya, goditi dy apartamente në një ndërtesë banimi, duke vrarë dy burra, një grua dhe vajzën e saj, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Një tjetër sulm në Gazën qendrore vrau katër persona, sipas Spitalit Awda. Të shtunën vonë, një sulm pranë qytetit jugor të Khan Younis vrau katër persona nga e njëjta familje, duke përfshirë dy gra, sipas spitalit Nasser.
Izraeli thotë se synon vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, duke fshehur luftëtarë, armë, raketa dhe duke hapur tunele në zonat e banuara. Por bombardimet izraelite prej muajsh kanë zhdukur familje të tëra dhe kanë lënë jetimë mijëra fëmijë.
Ndërmjetësuesit kanë shpenzuar muaj të tërë duke u përpjekur për të ndalur luftimet, përpjekje që u bënë më emergjente pas vrasjes së dy militantëve kryesorë muajin e kaluar, që nxitën zotimet për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu në Liban, duke rritur frikën për një luftë në shkallë të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme.
Një zyrtar amerikan tha të premten se ndërmjetësit po fillonin përgatitjet për zbatimin e propozimit të fundit të armëpushimit dhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, shprehu “optimizëm të kujdesshëm” se një marrëveshje mund të arrihet.
Një delegacion izraelit do të udhëtojë në Kajro të dielën për bisedime të mëtejshme dhe sekretari Blinken pritet të takohet me kryeministrin Netanyahu të hënën.
Hamasi ka hedhur dyshime nëse një marrëveshje është afër, duke thënë se propozimi i fundit ndryshonte ndjeshëm nga një propozim i mëhershëm që ata e kishin pranuar në parim. Hamasi ka refuzuar kërkesat e Izraelit për një prani të qëndrueshme ushtarake përgjatë kufirit Gaza-Egjipt dhe një linjë në Gazë ku forcat izraelite do të kontrollonin palestinezët që kthehen në shtëpitë e tyre. Izraeli thotë se të dyja janë të nevojshme për të parandaluar që militantët të riarmatosen dhe të kthehen në veri.
Izraeli dha shenja se mund të tërhiqet nga korridori kufitar dhe një takim midis zyrtarëve ushtarakë egjiptianë dhe izraelitë është planifikuar për javën e ardhshme për të rënë dakord për një mekanizëm tërheqjeje, sipas dy zyrtarëve egjiptianë, të cilët folën me kusht që të mos u përmendet emrat, meqë nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi negociatat./voa