Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe vajza e shkrimtarit të madh Gresa Kadare folën sot mbi rëndësinë e ruajtjes së këtij arkivi pranë DPA-së.
Bido u shpreh se është “nder dhe kënaqësi për DPA që tashmë është pasuruar me një fond të veçantë të Ismail Kadaresë, dorëshkrime të rralla të cilat shkrimtari ynë i madh kombëtar i ruante në shtëpinë e tij dhe e kanë shoqëruar kudo që ka shkuar në Francë, në Durrës apo në Tiranë”.
“Dua të falëndeorj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh Gresën, Helenën dhe Besianën që vendosën t’ia besonin DPA-së ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin se çfarë do të bëjnë”, u shpreh Bido.
Sipas tij, “të gjitha këto dorëshkrime tashmë janë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur ansjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare”.
Bido theksoi se në këto vite DPA ka pasur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci e me radhë.
“Dokumente të cilat përndryshe do të ishin të struktura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu. Dokumente që ruhen me nostalgji, por që mbesin deri diku të panjohura për publikun dhe studiuesin”, shtoi ai.
Bido falënderoi veçanërisht Gresa Kadarenë, e cila ishte nismëtare për dorëzimin e arkivës për procedurën e ruajtjes, restaurimit dhe digjitalizimit të këtyre dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
“Me këtë rast i bëj thirrje të gjithë personaliteteve që kanë dokumente të paraardhësve të tyre se ne i ruajmë me profesionalizmin dhe garancinë që këto dokumente do të mbeten përjetë. Kjo ka një rëndësi madhore kur vjen fjala për figura që jetojnë përjetë, sa ekziston memoria kolektive kombëtare”, shtoi ai.
Nga ana e saj Gresa Kadare foli mbi arsyet që e shtynë drejt vendimit për të dorëzuar pranë DPA-së arkivën e Ismail Kadaresë, ndërsa shtoi se më herët interes për këtë arkiv ka pasur nga institucione të huaja.
“Desha t’ju falënderoj juve personalisht për mirëkuptimin që gjetëm dhe mirëbesimin recioprok, sepse nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris para disa viteve i janë ofruar plot institucione të huaja, qofshin franceze si Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës, Biblioteka “François Miteran”. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht, një pjesë të arkivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti Princeton në Nju-Jork”, tha ajo.
Gresa kujton se Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje dhe diçka e pengonte.
“Nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. I thashë në diskutim mes nesh: Po si e ke menduar, çfarë do tamam të bëhet me arkivën tënde, pse nuk shprehesh dhe pse nuk merr një vendim, se për arsye të ndryshme humbasin gjërat? ‘Nuk di se çfarë dua të bëj, sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj’, tha Ismaili. Dhe kjo ngeli kështu. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë me iniciativën time vendosa t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total”, tha ajo.
Gresa theksoi se është shumë e vështirë t’i besohen, qoftë një institucioni serioz, gjëra kaq të vyera.
“Unë jam shumë e prekur personalisht kur pashë se Kodikët e Beratit prehen këtu gjithashtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë pranë Kodikëve të Beratit e në njëfarë mënyre, ndoshta e ekzagjeroj, por më duket sikur janë këto kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore shqiptare, që duhet ruajtur. Dhe jo vetëm ruajtur si një qenie e balsamosur. Unë shpresoj që në një kohë të dytë, Arkivi do të lejojë aksesin e studiuesve, kritikëve letrarë, studentëve, të vijnë ta konsultojnë, ta studiojnë dhe ta mbajnë gjallë arkivin”, theksoi Gresa Kadare.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës./ATA