Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot Ukrainën në këtë ditë, ndërsa theksoi se “Shqipëria ka mbajtur e mban një qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës”.
“Ukraina mike kremton sot Ditën e Pavarësisë dhe Lirisë. Në këtë ditë të shënuar, populli i Ukrainës është përfshirë, kundër dëshirës së tij, në luftën çlirimtare për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale prej agresionit neoimperialist të Rusisë së Putinit”,u shpreh Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se “Shqipëria ka mbajtur e mban një qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, bashkë me ShBA-të, BE-në, NATO-n, dhe botën demokratike, në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë”.
“Mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vijojë, jo vetëm për çlirimin e saj, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Slava Ukraini”, shkruan Spiropali.
/Argumentum.al