Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë nga 26-28 gusht Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, në një postim në rrjetet sociale.
“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Hasani.
Konferenca do të organizohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në konferencë përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, do të jenë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.
Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.
Konferenca treditore do të nisë nesër në ora 09.30, ku do të marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Ceremonia e hapjes dhe paneli “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, me pjesëmarrjen e Ministrit Hasani dhe Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë, do të jetë e hapur për median.
Axhenda e konferencës;
09:30 – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE
Folës kryesorë
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë
Ora 12:00 – Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.
Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.