Kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve, është rreshtuar edhe ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Brozi shkruan se askush, madje as presidenti nuk gëzon të drejtën për anuluar zgjedhjet.
Ai thotë se shqiptarët duhet të votojnë në 30 qershor, pavarësisht bindjeve politike.
“Uroj që shqiptarët më 30 Qershor 2019, pavarësisht nga bindjet politike e përkatësitë partiake, të ushtrojnë në paqe e qetësi të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal.
Askush nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të lejohet tua mohojë dhe grabisë zgjedhësve këtë të drejtë kushtetuese.
Kurrë më partia dhe partitë mbi Kushtetutën e ligjin, por Kushtetuta dhe ligji mbi partitë, Presidentin, Qeverinë, politikanët e këdo tjetër.
Vetëm ateherë Shqipëria mund të bëhet anëtare e denjë e familjes së Bashkimit Europian”, shkruan Brozi.