Papa Françesku u takua me 30 të afërm të viktimave të shpërthimit në Portin e Bejrutit në një audiencë private në Vatikan të hënën, duke shprehur dhimbjen dhe afërsinë e tij me familjet që vuajnë për shkak të trazirave të vazhdueshme politike në Liban.
Populli ka “të drejtën e fjalëve dhe të veprave që tregojnë përgjegjësi dhe transparencë”. Bëj thirrje për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe që “Toka e Kedrave” të vazhdojë të jetë besnike ndaj thirrjes së saj si tokë ku “fetë dhe besimet e ndryshme takohen në vëllazëri”
Papa Françesku, i prekur thellësisht, priti në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, familjet e viktimave të shpërthimit që, më 4 gusht 2020, shkatërroi portin e Bejrutit dhe një pjesë të qytetit, duke shkaktuar vdekjen e 235 vetëve, 6500 të plagosur, 300 mijë viktima dhe rreth 3 miliardë dëme. Ngjarje, dinamika e së cilës dhe përgjegjësia mbeten pa përgjigje.
Interesat kontradiktore peshojnë, por e vërteta duhet të dalë në shesh
Papa kujton se është lutur dhe vazhdon të lutet për ta dhe se bashkohet me lotët e tyre, të cilët janë edhe më të dhimbshëm nga mendimi i vdekjes dramatike dhe të parakohshme të më të voglës nga viktimat, Aleksandrës, e cila vdiq atë ditë në moshën tre vjeçare. Prindërit u përpoqën me guxim, së bashku me shumë të tjerë, ta shndërrojnë vuajtjen e tyre në veprim politik, në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë. Janë pikërisht këto që priti Papa. Deri tani askush nuk është ndjekur penalisht për atë që ndodhi (shpërthimi, sipas autoriteteve, u shkaktua nga një mjet ndezës në një magazinë ku ishte ruajtur prej vitesh pleh me bazë nitrat amoniumi). Shoqata e anëtarëve të familjes u ankua në atë kohë se një sërë funksionarësh, politikanësh dhe policësh kishin penguar hetimet:
Me ju kërkoj të vërtetën dhe drejtësinë që nuk ka arritur, të vërtetën dhe drejtësinë. Të gjithë e dimë se çështja është e ndërlikuar dhe e mprehtë dhe se fuqitë e interesat konfliktuale rëndojnë mbi të. Por e vërteta dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë mbi gjithçka. Kanë kaluar katër vjet; populli libanez, dhe ju së pari, keni të drejtën e fjalëve dhe fakteve që tregojnë përgjegjësi dhe transparencë.
Libani është, e duhet të mbetet projekt paqeje
Papa citon një fragment nga Fratelli tutti (i njëjti i përmendur tashmë të shtunën e kaluar në audiencën në Rrjetin e Ligjvënësve Katolikë) ku thuhet se lufta është dështim i politikës dhe i njerëzimit duke përsëritur rishtas se ndjen dhimbje kur shikon çdo ditë “shumë të pafajshëm që vdesin” për shkak të luftës në Palestinë dhe Izrael. E shton me hidhërim: “Çmimin e paguan Libani”:
Me ju kërkoj nga Qielli paqen që njerëzit përpiqen ta ndërtojnë në tokë. Lutem për Lindjen e Mesme dhe Libanin. Libani është dhe duhet të mbetet projekt paqeje. Mos harroni atë që pati thënë një Papë: ‘Libani është mesazh dhe ky mesazh është projekt për paqen’. Vokacioni i Libanit është të jetë tokë, ku bashkësitë e ndryshme jetojnë bashkërisht, duke e vënë të mirën e përbashkët mbi avantazhet e veçanta, ku fetë dhe besimet e ndryshme takohen vëllazërisht./R.SH. -Vatikannews