Prosperiteti i përbashkët ishte nocioni i parë me të cilin u njohën profesionistët e medias nga vendet e nismës BRI në seminarin e mbajtur për 2 javë në Jinhua, në provincën Zhejiang në Kinë. Ndërsa viziton këtë vend të largët, askush nuk mbetet pa u habitur me zhvillimin e vrullshëm, mirëqënien ekonomike dhe infrastrukturën moderne, por e rëndësishme është njohja me mënyrën sesi autoritetet mbështesin zhvillimin edhe në zona që janë në varfëri apo nuk kanë gjetur ritmin e duhur të zhvillimit, qoftë për shkak të kushteve klimaterike qoftë edhe për shkak të mungesave në shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Koncepti i prosperitetit të përbashkët është zbatim në praktikë i idesë së hapjes së Kinës, disa qytete dhe njerëz do të pasurohen të parët dhe do të ndihmojnë pjesën tjetër të zhvillohet.
Në planin e përgjithshëm koncepti e gjen veten në zhvillimin e madh të një rripi të gjelbër me qytete super moderne si Pekini, Shanghai, Hangzhou me sektor të zhvilluar privat dhe eksporte masive. Kjo zonë që po pasurohet me shpejtësi kontribuon në programe të ndryshme që e dërgojnë prosperitetin në brendësi të vendit, në zona me klimë të vështirë dhe mungesë burimesh.
Prosperiteti i përbashkët është nocion që së pari i ka rrënjët në kulturën tradicionale kineze.
Aktualisht, pabarazitë në zhvillim ekzistojnë ende në Kinë me zonat lindore bregdetare më të pasura dhe me zona perëndimore më pak të zhvilluara. Edhe brenda provincave ekziston pabarazia midis zonave të zhvilluara urbane dhe atyre rurale.
Vitet e fundit Kina ka rritje ekonomike tëpërvitshme deri në 4.5 për qind ndërsa prodhimi i brendshëm bruto ka vite që e ka kaluar në krye të renditjes për peshën ekonomike globale. Vendi ka hyrë në epokën e re të socializmit me karakteristika kineze.
Prodhimi i brendshëm bruto arriti 101,5986 trilionë juan; me rritje ekonomike vjetore 2.3% në vitin 2020. Ekonomia kineze në këtë vit u rendit e dyta në botë, duke rezultuar si 17 % e ekonomisë globale.
Yiëu në Jinhua nuk është vetëm qendra më e madhe tregtare ndërkombëtare në botë, por edhe një qytet plot me kuriozitete dhe argëtim.
Vlerësohet se ka 1.8 milionë produkte në tregun Yiëu, me pothuajse 100,000 shitës, qindra mijë prodhues dhe gati 1 milion blerës që mbulojnë 219 vende dhe rajone në të gjithë botën.
Universiteti Normal i Zhejiang quhet kështu pasi me dekada aty janë formuar mësues, ndërsa tani është kthyer në qendër trajnimesh dhe formimi profesional edhe për profesionistë të huaj. Trajnimi i profesionistëve të vendeve të nismës BRI është një prej tyre.
Një nga qytetet pilot të prosperitetit të përbashkët në provincën Zhejiang është qyteti Jinhua, me qëllimin e krijimit të një qyteti të fortë dhe modern.
Universiteti është zbatues i programeve të konceptit të prosperitetit të përbashkët, dhe rezultatet janë të dukshme. Një prej tyre janë historitë e lehtësimit të varfërisë ndërsa shumë fshatra u zhvendosën drejt vendndodhjeve më të mira, me kushtet e duhura të jetesës, ujë i pijshëm, energji elektrike, aktivitet prodhues. Një tjetër program është ai i binjakëzimit ne arsim për të mundësuar nxjerrjen e zonave të caktuara nga varfëria përmes rritjes profesionale, duke sjellë shembuj frymëzues dhe duke i nxitur njerëzit t’i ndjekin këta shembuj.
Jinhua nuk është vetëm një qytet me ekonomi dhe arsim të zhvilluar, por edhe me shumë site të trashëgimisë kulturore dhe historike, disa prej të cilave janë rivitalizuar duke mundësuar turizëm dhe më shumë të ardhura për banorët që jetojnë në këto zona. Qyteti i vjetër Guzi nga disa lagje të vjetra është kthyer në një zonë moderne, pa i humbur identitetin, me pedonale për të shëtitur, restorante, kafene, qendra rekreative duke bërë që të vizitohet nga shumë vendas dhe turistë e duke prodhuar ekonomi për banorët.
Rezidenca e familjes Lu në distriktin Dongyang është një atraksion i qytetit të cilën e vizitojnë njerëz nga e gjithë bota. Një kompleks që shtrihet në një sipërfaqe sa disa blloqe banimi, shtëpia Lu është kompleksi reziencial i kulturës tradicionale kineze më i ruajtur në Kinë.
Përtej stilit tradicional të ndërtesave, oborreve të brendshme që nxjerrin tek njëri-tjetri, kompleksi ruan gdhendje të mrekullueshme të drurit, një artizanat që trashëgohet ende në këtë zonë. Punimet e detajuara të drurit në secilin cep të kompleksit me forma dhe figura nga më të bukurat, tregojnë qartë mjeshtërinë e artistëve kinezë.
/Argumentum.al