Në Pallatin e Kongreseve po mbahet sot dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.
Paneli që startoi ditën e dytë mblodhi së bashku ekspertë të shquar nga rajoni, në një diskutim të thelluar mbi stabilitetin dhe sfidat aktuale në Evropën Juglindore, shkruan ATA.
Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Bujar Osmani, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, dhe Ardian Hackaj, Drejtor Kërkimor dhe Koordinator i Tirana Connectivity Forum, nën moderimin e gazetarit dhe analistit Baton Haxhiu ndanë gjithashtu këndvështrimet e tyre mbi rrugët e mundshme përpara dhe diskutuan rolin e Shqipërisë, si nxitëse e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, duke nxjerrë në pah nevojën për qasje të reja inovative dhe gjithëpërfshirëse, për të përballuar sfidat ekzistuese dhe për t’i shndërruar ato në mundësi për progres.
Ky diskutim jo vetëm që nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit, por edhe hodhi bazat për një dialog të vazhdueshëm që synon të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin.