Dr. JORGJI KOTE
Po, kjo mirënjohje lind natyrshëm dhe kur lexon shkrimin e ish politikanit, shkrimtarit, dhe publicistit të mirënjohur Ben Blushi “Pse duhet ta durojmë fyerjen e Tanja Fajon” botuar më 26 Gusht në mediat shqiptare. Si përherë dhe shumë të tjerë e lexova me kërshëri, ca më tepër se e njoh në detaje temën; veç të tjerash, me të jam angazhuar 15 vite rresht si diplomat në Ambasadat tona në Berlin dhe Bruksel. Shqetësimet e shkrimit të Blushit trajtohen dhe në librin tim të ri “ Negociatat, sfida e fundit e integrimit” kushtuar rrugëtimt europian të Shqipërisë.
Nisur nga sa sipër, më poshtë po shtjelloj shkurt, me fakte dhe argumenta konkrete 3-4 shqetësimet kryesore në shkrimin e dashamirësit tim të kahhershëm.
Së pari, ndjesë, por nuk mund të bëhet fjalë për “ fyerje” nga Tanja Fajon, mikeshë dhe mbështetëse e sprovuar e proceseve tona integruese qysh në mesin e viteve 90; nga viti 2009 – 2022 një ndër Eurodeputetet më me zë në Bruksel, ish zv.presidente e Grupimit të Partive Socialiste atje. U u shqua për rolin e saj të jashtëzakonshëm si Raportere e Europarlamentit për liberalizimin e vizave me vendin tonë në vitin 2010, pavarësinë e Kosovës dhe aspekte të tjera në Ballkanin Perendimor. Aktualisht Fajon është Zv.Presidente e Partive Socialiste Europiane dhe liderja e PS-së Slovene, Pra, siç mund të shihet, Slovenia dhe Fajon nuk janë dhe aq të vegjël dhe pa peshë në politikën europiane, në rajon dhe për ne. Fjala e tyre ka vendin e vet, si e çdo shteti dhe lideri tjetër të BE-së, e cila nuk është vetëm në Bruksel, Paris, Berlin, Romë… por dhe në të 27 vendet e saj anëtare.
Ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Tiranë më 25 Gusht, Fajon nuk fyu askënd; ajo thjesht shprehu mbështetjen për objektivin që shpalli Kryeministri Rama për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Tani, kur i Zoti i shtëpisë, që e di më mirë se “ku i pikon çatia” cakton atë vit, një mysafire e lartë si Fajon nuk ka se si ta shtyjë dhe ta avancojë atë. Ja pse, cilido që njeh veprimtarinë e saj në 30 vitet e fundit e ka më mbarë të thotë “ku ma gjen të na “fyejnë” dhe të tjerë si ajo”!
Lidhur me pyetjen se çfarë ka bërë Slovenia me shumë se Shqipëria në 30 vitet e fundit, përgjigja është e thjeshtë: Ajo ka bërë shumë më shpejt në kohë dhe me cilësi shumë më të lartë “detyrat” shtëpisë”; duke zbatuar kriteret e famshme të Kopenhagenit të vitit 1993, me konsensus dhe kohezion politik/social shëmbullor për anëtarësimin në BE me opozitën, median dhe shoqërinë civile. Nuk ka patur Slovenia çadra, djegje mandatesh, bojkote zgjedhjesh nga opozita e të tjera si këto.
Dallimi i madh 30 vjeçar me ne del qartë dhe nga një krahasim i thjeshtë në kohë, e cila në të tilla raste është përcaktuese. Në fakt, të dy vendet tona e nisën këtë rrugëtim në vitin 1992-1993 me marrëveshjen e bashkëpunimit me BE-në. Madje, në vitin 1996 ne patëm mundësinë e artë të nënshkruanim Marrëveshjen e Asociacionit, çka do të na kishte futur në grupin e parë të vendeve kandidate dhe Sloveninë. Por dështuam për shkak të krizës zgjedhore më 1996, të shembjes së shtetit më 1997 dhe rebelimin e ish opozitës më 1998. Për pasojë, zbritëm në kategorinë e re të Stabilizim – Asociimit, process që deshi shumë më tepër vite.
Atë nuk bëmë dot ne më 1996 e bëri Slovenia, dmth kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE, ndërsa ne e shtymë në prill 2009, për shkak prapë të krizave tona të brendshme. Ja, pra si e krijuam vetë ne diferencën e parë 13 vjeçare.
Vitet e tjera të diferencës që vazhdojnë dhe do të arrijnë shifrën 30 apo dhe më shumë vite shpjegohen me faktin se ndryshe nga ne, nga viti 1996 e deri në pranimin e saj më 2004, Slovenia nuk ka patur ndonjë ngërç institucional, ndërsa ne plot 10 kriza dhe konflikte të ashpra, të armatosura dhe tragjike, të cilat angazhuan shumë ndërmjetësues ndërkombëtarë nga SHBA, BE-ja, madje dhe Slovenia. Ajo vërtet nuk ka bërë reformë madhore në fushën e drejtësisë, por kjo sepse atje krimi dhe korrupsioni nuk “ka bërë kërdinë” si te ne. Me ndonjë përjashtim tejet të rrallë atje nuk ka patur e nuk ka qeveritarë të lartë dhe kryebashkiakë të dënuar ose nën hetim. Nuk ka ndodhur në Sloveni të vidhen fondet e IPARDIT të BE-së, ndërsa aferat dhe skandalet nuk njihen pothuajse fare.
Dhe shkaqet për vonesat në 10 vitet e fundit, kur praktikisht ende nuk i kemi çelur negociatat dihen – problematikat tona dhe për pasojë 15 kushtet gjermane, franceze, holandeze; dhei në gati dy vitet e fundit Çështja Beleri dhe vetoja greke.
Dallimet janë më të mëdha në ekonomi, ku Banka Botërore dhe BERZHI kanë pohuar se vendit dhe rajonit tonë do t’i duhen të paktën 40 vjet për të kapur nivelin e BE-së. Ndërsa Slovenia ishte afër niveleve të Zvicrës qysh në fillim të negociatave.
Në këto kushte, pyetja e duhur mund të ishte jo si na e kaloi Slovenia, por Rumania dhe Bullgaria, me të cilat afrohemi më shumë, të cilat u anëtarësuan më 2007 mbas një kompromisi me kushte në BE. Apo ca më keq akoma, si na kanë lënë shumë prapa në negociata Serbia dhe Mali i Zi por kursesi Slovenia e përparuar.
Dhe kjo jo se Sloveninë e “kanë mbajtur me hatër”. Fakti është se ajo u pranua pa asnjë rezervë më 1 Maj 2004 bashkë me 7 vende të tjera ish lindore, plus Maltën dhe Qipron, në atë që njihet si vala e tretë dhe më e madhe e zgjerimit europian.
Ndaj, është më e udhës që Slovenisë, Tanja Fajonit dhe parardhësve të saj t’i shprehim mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha proceset tona integruese dhe tani për realizimin e objektivit 2030 të anëtarësimit tonë në BE.
Mirë, po pse më 2030 e jo më 2028 apo 2035 – pyet Blushi. Fare e thjeshtë, sepse, sipas metodologjisë europiane të zgjerimit, nëse do punojmë si Slovenia dhe Kroacia, negociatat tona në parim mund të mbyllen brenda 5 viteve. Ndryshe mund të zgjaten pa fund nëse nuk linjëzohemi me BE-në në çdo aspekt. Gjithsesi këtu rëndësi kanë hapat dhe lëvizja, që dhe nëse nuk hyjmë dot më 2030, kjo të ndodhë diku më vonë, qoftë dhe më 2035, por pa një objektiv vështirë të ketë përparim.
Sa për BE-në, padyshim që ajo ka patur dhe ka shumë mangësi, sfida dhe vështirësi të njohura, por jo për ta demonizuar dhe mohuar me gjuhë populiste. Pastaj, kurt i krahason me periudhat e mëparshme, do mbajtur parasysh se në këto 10 – 15 vitet e fundit SHBA-të dhe BE-ja janë ndeshur dhe kanë përballuar si asnjëherë më parë me shumë kriza të papara, të ashpra, të shpeshta, të gjithfarëllojshme dhe në të njëjtën kohë, me pasoja të pallogaritshme– falimenti financiar, azili i paligjshëm, terrorizmi, anti-semitizmi, ekstremizmi, COVID – 19, agresioni rus kundër Ukrainës, konflikti në Lindjen e Mesme, Ballkani, etj.
E megjithatë, BE-ja ka marrë jo një e dy, por shumë vendime dhe veprime të drejta, të guximshme dhe të pashembullta. Mjafton të përmendim miratimin e fondit prej 750 miliard Euro për blerjen e borxheve të vendeve anëtare të BE-së më të varfëra, 300 miliard Euro për koronën, qindra miliarda Euro ndihma për Ukrainën, 14 paketa sanksionesh kundër Rusisë, çeljen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, etj.
Po kështu, vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, miratimi i Planit të Rimëkëmbjes për Ballkanin Perendimor prej 29 Miliard Euro, krijimi i Tregut të Përbashkët Europian në Ballkanin Perendimor, premtimi për 1,15 miliard Euro për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, etj. Padyshim që dhe vetë BE-ja është e vetëdijshme dhe po punon për shmangien e mangësive jo të pakta dhe sfidave të vështira në zbatimin e këtyre projekteve me përfitime të mëdha, por jo se nuk ka marrë vendime, madje tejet të vështira dhe historike!
Në fund të shkrimit të tij, Ben Blushi rendit shumë gjëra që i kemi bërë ose nuk i kemi bërë se kështu na ka kërkuar BE-ja. Përfshirë dhe reparacionet e luftës, temë e tejkaluar qysh në monizëm. Mirëpo nuk do harruar se ato si zgjedhjet e lira, qëndrimi ndaj Kosovës, Rusisë, konkurrenca ekonomike, azili, etj ka kohë që janë detyrime tona ndërkombëtare në kuadrin e anëtarësimit në Bankën Botërore dhe FMN, në OBT, në OSBE, NATO, etj. Mirëpo tani që jemi aspirantë për BE, ” steka” e këtyre kërkesave është ngritur dhe më lart. Ashtu si përfitimet e shumëllojshme që janë dhe më të mëdha, të cilat Blushi “i fyer“ pa arsye çuditërisht nuk i përmend!
Së fundi, për pyetjen se çfarë duhet të bëjmë ne më tepër se Slovenia, përgjigja është e thjeshtë: të ecim si Slovenia sa më shpejt, pa pengesa dhe vonesa në negociatat e anëtarësimit. Të tjerat janë vetëm “fjalë të mira dhe gurë në trastë!“
© 2024 Argumentum