Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë u panë të shtunën në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një operacion që u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe ka të ngjarë të rrisë tensionet me Serbinë fqinje.
Forcat paqeruajtëse nuk e komentuan praninë e shtuar në urë dhe nëse kjo ka të bëjë drejtpërdrejtë me situatën e re në veri, shkruan Zeri i Amerikes.
Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien, tha se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.
Në një postim në të cilin i bëri jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe qeverisë së tij që të këshillohen dhe bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
Më herët të premten, ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.
Bashkimi Evropian u shpreh “i zhgënjyer” me mungesën e vazhdueshme të bashkërendimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ofruesit e sigurisë.
“BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar të shtensionojë situatën në veri. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e qytetarëve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”, thuhet në një postim të zyrës së BE-së në Prishtinë në të cilin theksohet se operacioni i së premtes “mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme”.
Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u shpreh “i shqetësuar me dhunën” dhe “shkeljen e sërishme të të drejtave të serbëve dhe rrezikimin e tyre nga veprimet arrogante dhe ta paligjshme të Prishtinës”. Ai tha pas një takimi me të dërguarin evropian Miroslav Laçak në Pragë se ka kërkuar “reagimin e BE-së jo vetëm për dënimin e veprimeve të tilla, por edhe pengimin e tyre dhe mbrojtjen e serbëve”.
Policia e Kosovës, tha të shtunën se situata është e qetë në veri, ndërsa raportoi se pas mesnatës “në afërsi të objektit të ish komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes”, por pa dëme.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.
Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.
Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.
Por bisedimet 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kanë shënuar përparime të pakta.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë trysi palëve që të zbatojnë një marrëveshje për të cilën ranë dakord në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër.