Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se problemet politike me të cilat përballet Ballkani janë një sërë problemesh që burojnë nga historia dhe se rruga e vetme për t’i zgjidhur ato është përmes paqes dhe dialogut, duke shtuar se vendosja e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në gjithë Ballkanin është prioriteti kryesor i Türkiyes sot, raporton Anadolu.
Fidan foli në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit të tij me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në Shkup.
Fidan adresoi çështjen e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë se brutaliteti në atë rajon po vazhdon dhe duke theksuar se përhapja e tensioneve në Bregun Perëndimor dhe provokimet kundër Xhamisë al-Aksa e kanë përkeqësuar situatën edhe më shumë.
“Përgjegjësi kryesor për gjenocidin (në Gaza) është vetë Netanyahu. Netanyahu vazhdon të mbjellë vdekje dhe terror për hir të qëndrimit në pushtet. Netanyahu saboton të gjitha përpjekjet për armëpushim, vazhdon të prishë negociatat e armëpushimit duke vendosur vazhdimisht kushte të reja”, tha Fidan.
Duke vënë në dukje se madje edhe opinioni publik izraelit ka filluar të rebelohet kundër Netanyahut, Fidan u shpreh më tej: “Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndalojë Netanyahun. Të heshtësh ndaj masakrës ka kuptimin e njëjtë i të qenit bashkëpunëtor në këtë krim”.
– “Türkiye i kushton shumë rëndësi miqësisë, bashkëpunimit dhe aleancës së saj me Maqedoninë e Veriut”
Fidan falënderoi homologun e tij të Maqedonisë së Veriut për mikpritjen e tij dhe tha se gjatë 20 viteve të fundit ka vizituar shumë herë Maqedoninë e Veriut dhe Shkupin në detyrat e tij të ndryshme.
“Türkiye e ka mbështetur në mënyrë të palëkundur Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha Fidan, duke e uruar qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se kanë pasur takime “shumë produktive” me delegacionin e Maqedonisë së Veriut.
Duke dhënë informacione për takimet që do të zhvillojë me zyrtarë të lartë në Maqedoninë e Veriut, Fidan kujtoi se është takuar me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë vizitës në Shkup me rastin e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në qershor.
Fidan nënvizoi se Türkiye i kushton shumë rëndësi “miqësisë”, bashkëpunimit dhe aleancës së saj me Maqedoninë e Veriut dhe tha se me ministrin Mucunski kanë biseduar për avancimin e marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut në periudhën e ardhshme.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Türkiyes, Hakan Fidan, ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Në konferencën e përbashkët për media, ministri Mucunski theksoi se Türkiye është mike e dëshmuar dhe aleate e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s.
Ai falënderoi Türkiyen, që ishte një nga vendet e para që tregoi solidaritet në ballafaqimin me zjarret që shpërthyen në pyjet e Maqedonisë së Veriut.
Mucunski u shpreh se kjo është vizita e parë zyrtare e një ministri të Jashtëm të huaj pasi ai morri detyrën, duke shtuar se është i lumtur që bëhet fjalë pikërisht për ministrin turk Hakan Fidan.
“Ky është një konfirmim i fuqishëm i dialogut politik gjithnjë e më intensiv midis dy vendeve, besimit të ndërsjellë në rritje, partneritetit dhe miqësisë që ne bashkërisht ndërtojmë dhe ushqejmë. Sot patëm bisedime konstruktive në të cilat bashkërisht diskutuam mundësitë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për thellimin e tij”, tha Mucunski.
Ai theksoi se që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, investimet turke janë shumë të mëdha, por shtoi se bashkëpunimi ekonomik deri më tani nuk ka arritur nivelin e dëshiruar nga të dy vendet.
Përveç marrëdhënieve ekonomike, Mucunski theksoi se me homologun e tij turk ka biseduar edhe për çështje të sigurisë, çështje rajonale dhe çështje të tjera.
“Me Türkiyen, partnerin dhe aleatin tonë në NATO, ndajmë pikëpamje dhe shqetësime të përbashkëta për sigurinë dhe kërcënimet e tjera rajonale, si dhe interes të përbashkët për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Evropës Juglindore. E njoftova kolegun tim me situatën aktuale në rajon, parë nga perspektiva jonë, e cila është tërësisht e fokusuar në procesin e reformave të BE-së dhe integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, tha Mucunski, i cili gjithashtu shtoi:
“Ne diskutuam dhe shkëmbyem mendime për situatën aktuale në lidhje me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe situatën e fundit në Lindjen e Mesme, duke ndarë shqetësimet dhe pritshmëritë tona për zbutjen dhe përfundimin e të gjitha veprimtarive ushtarake dhe ndalimin e vuajtjeve të popullatës civile në vendet e prekura”.
Në fund, kryediplomati maqedonas theksoi se që nga pavarësia e saj, Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Türkiyen si mike dhe mbështetëse e dëshmuar dhe e përkushtuar në realizimin e përcaktimeve dhe qëllimeve më të larta strategjike.
Türkiye mban gjithmonë një qëndrim aktiv në Ballkan
Duke njoftuar se me homologun e tij Mucunski në takimin e sotëm kanë biseduar edhe për çështje rajonale, Fidan tha se Ballkani është rajon me rëndësi gjeostrategjike.
Fidan theksoi se Ballkani është një rajon që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë dhe prosperitetin e Evropës dhe tha se kanë jetuar së bashku në mënyrë miqësore dhe vëllazërore për shekuj me radhë, bazuar në respektimin e diversitetit kulturor.
Ai më tej tha se vendosja e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në gjithë Ballkanin është prioriteti kryesor i Türkiyes sot.
“Ne po bëjmë përpjekje intensive për këtë. Si Türkiye, ne mbajmë gjithmonë një qëndrim aktiv në Ballkan”, shtoi Fidan.
/Argumentum.al