Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi ambicien që Partia Socialiste e vitit 2030 të jetë partia e 1 milionë shqiptarëve aktivë.
Në një takim të hapur me grupin e parë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”, Rama u shpreh se “anëtarësia e PS-së së fundi, nga regjistrimi dhe pastrimet e të gjithë të dhënave të vjetra dhe verifikimit të të dhënave të reja ka rreth 100 mijë anëtarë”.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se “zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë”.
“Ambicia jonë tanimë që votojnë të gjithë shqiptarët, edhe ata jashtë Shqipërisë, është që ne të synojmë që Partia Socialiste e vitit 2030 të jetë partia e 1 milionë shqiptarëve aktivë, gjë që sigurisht do të kërkojë kohën e vetë, por duhet të lexohet qartë si një rritje e fuqisë sonë përfaqësuese qysh në zgjedhjet e ardhshme”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se midis 100 mijë anëtarëve dhe mbi 700 mijë zgjedhësve ka një diferencë shumë të madhe, pasi këta janë njerëz që nuk janë të anëtarësuar në PS.
“Janë njerëz që e mbështesin PS-në dhe duan suksesin e PS-së dhe përems suksesit të PS-së kërkojnë suksesin e tyre. Këtyre njerëzve i drejtohemi ne dhe i themi faleminderit 1 mijë herë. Nëse dëshirojnë të afrohen pranë, të dalin në vijën e parë, të dytë apo të tretë të udhëheqjes së këtij vendi, ne jemi gati t’i mirëpresim krahëhapur dhe t’i afrojmë drejt destinacionit që mendojnë për veten e tyre”, shtoi Rama.