Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot mbi gjendjen e arsimit në vend, ndërsa theksoi se “numri i nxënësve është përgjysmuar dhe 750 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin”.
Në ditën e parë të shkollës, Berisha tha se “sot u ulën në bankat e shkollës 350 mijë nxënës, ndërkohë që në vitin 2013, në këto banka u ulën 630 mijë nxënës”.
“Në tetë vite të Rilindjes, numri i nxënësve në shkollat tona, u përgjysmua. Kjo rënie e frikshme ka sjellë mbylljen e rreth 750 shkollave në mbarë vendin. Kjo rënie e frikshme ka sjellë pothuajse mbetjen pa fëmijë, pa nxënës të shumë e shumë zonave të vendit. Kjo rënie vazhdon me ritme të paimagjinueshme”, tha ai.
Sipas Berishës, “në shkollat e Korçës, në klasë të 10-të këtë vit u regjistruan 500 nxënës më pak apo një e treta më pak se sa një vit më parë”.
“Këtë vit, shkollat nisën punën në një kohë kur vitin e kaluar në testin e cilësisë në PISA ato patën një rënie pikiate prej 62 pikësh. Mendimi krijues i nxënësve tanë u vlerësua më i dobëti në planet. Mësuesit vazhdojnë të jenë mësuesit më të papaguar në Europë dhe në Ballkan. Rroga e rritur këto kohë e tyre është aq e vonshme saqë i la ata përsëri në mësuesit me rrogat më të ulëta në Ballkan dhe Europë”, tha Berisha.