Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”, ndonëse ai nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë.
Vuçiq ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.
Presidenti serb i ka bërë këto komente pasi është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Përveç me Lajçakun, ai është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Vuçiq ka thënë se Serbia është gjithmonë gati për dialog.
“Mirëpo, Serbia nuk është gati dhe nuk do të lejojë persekutimin e popullsisë serbe, dhe është e qartë që ky është synimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”, ka thënë ai duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.
Presidenti serb ka thënë se në tetor do të prezantojë para Parlamentit serb “propozime me ndikim të gjerë”.
Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak shkroi në X se udhëheqësi serb ngriti “shqetësime të forta lidhur me situatën e serbëve në Kosovë”.
“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian.
Lajçak tha se se vizita e tij në Beograd synoi përgatitjen e takimit të radhës mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Vuçiq flet për mbylljen “ilegale dhe kriminale” të institucioneve serbe në Kosovë
Sa i përket mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se ato janë “veprime ilegale dhe kriminale” të Albin Kurtit, dhe që vendet e QUINT-it i kanë dënuar vetëm me fjalë ato veprime.
Bashkimi Evropian, por edhe vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Italia dhe Gjermania) e kanë kritikuar Kosovën, për ato që i kanë konsideruar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të Kosovës.
Këto kritika kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur më 30 gusht pesë institucione paralele serbe në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato kanë vepruar në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Në institucionet e mbyllura nga autoritetet e Kosovës, më 30 gusht, janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në Kosovë ekzistojnë komuna, sipërmarrje publike, kopshte fëmijësh, shkolla fillore e të mesme, dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt prej Qeverisë së Serbisë, dhe gjenden nëpër qytetet ku jetojnë serbët.
Sipas ligjeve të Kosovës, këto institucione janë ilegale.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për mbyllje të strukturave paralele serbe prej vitit 2013, mirëpo ajo nuk është zbatuar plotësisht./REL