Zyrtarët rusë kanë thënë se nëse Perëndimi i lejon Kievit të përdorë armët perëndimore për të sulmuar thellë në territorin rus, kjo do të rezultonte me përshkallëzim të madh të luftës në Ukrainë, që mund të përfshijë edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Ish-presidenti, Dmitry Medvedev, që tani është kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka paralajmëruar më 14 shtator se Kievi do të kthehet “në një pikë të shkrirë gri ” nëse zbuten kufizimet kundër përdorimit të armëve perëndimore nga Ukraina.
Kievi vazhdimisht ka thënë se i duhet të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus në mënyrë që të mbrojë veten kundër forcave pushtuese ruse.
Ideja së fundi ka marr vrull, teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e ka shtyrë përpara atë. Disa udhëheqës evropianë po e shqyrtojnë mundësinë që t’i japin Ukrainës aftësi për të sulmuar nga larg, ndërkaq Britania raportohet se është afër të marrë vendimin që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketat e saj, Storm Shadow, për të kryer sulme në territorin rus.
Më 13 shtator, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, pritej që të diskutonin për këtë çështje gjatë takimit të tyre në Uashington.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e përmendi këtë çështje pas përfundimit të takimit.
Duke iu referuar këtij takimi, Medvedev shkroi më 14 shtator se “imbecilët anglosaksonë nuk duan ta pranojnë se “durimi” i Rusisë ka fund, teksa ekspertët kanë sugjeruar se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër Ukrainës, nëse Moskës i humbet durimi.
“Çfarë mendojnë udhëheqësit perëndimorë dhe institucionet e tyre, duke luajtur në luftë, se cili do të jetë reagimi i shtetit tonë ndaj sulmeve të mundshme raketore ‘thellë brenda territorit të Rusisë?’”, shkroi Medevedev, i cili shpesh ka kërcënuar Kievin dhe Perëndimin, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Medvedev tha se një konflikt bërthamor “është një gjë shumë e keqe me një rezultat shumë të vështirë”, duke pretenduar se kjo është arsyeja pse Rusia nuk ka vendosur të përdorë deri në këtë pikë armë bërthamore “jostrategjike apo strategjike”. Megjithatë, ai tha se nëse do të vijë deri te përdorimi i armëve bërthamore, në vendin ku ndodhet Kievi do të krijohej “një pikë gjigante gri”.
Retorikë e tillë nga Moska është intensifikuar teksa Zelensky po vazhdon lobimin që shteti i tij të mund të përdorë armët që i ka marrë nga Perëndimi për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë.
Më 12 shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se çdo ndryshim në politikë që do të lejonte që armët perëndimore të përdoren ndaj territorit rus do të nënkuptonte se aleanca e NATO-s është “në luftë” me Rusinë./REL