Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u zotua sot se do të kërkojë drejtësi për aktivisten e vrarë turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi dhe mbi 41.000 civilë të Gazës, duke e krahasuar situatën në Gaza me gjenocidin famëkeq të Srebrenicës në vitin 1995, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Denis Beqiroviqin, kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, të mbajtur në ditën kur Eygi u varros në vendlindjen e saj në Didim të Türkiyes, Erdoğan tha: “Në organet e drejtësisë, ne do të kërkojmë llogari nga Izraeli për vrasjen e Ayşenur Ezgi Eygit, së bashku me mbi 41.000 vëllezërit dhe motrat tona nga Gaza”.
Duke theksuar ashpërsinë e situatës, ai tha: “Sot në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze po përjetojmë një masakër të ngjashme me masakrën që ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 90”.
Erdoğan shtoi gjithashtu se ashtu si autorët e gjenocidit të Srebrenicës u dënuan në gjykatat ndërkombëtare, edhe autorët e asaj që po ndodh në Gaza do të mbajnë përgjegjësi.
Beqiroviq, nga ana e tij, tha: “Gjenocidi në Gaza është në fakt turpi më i madh në botë”.
Ndryshe, Eygi, 26 vjeçe, kishte udhëtuar në Bregun Perëndimor për të mbështetur rezistencën palestineze kundër pushtimit izraelit, sipas raporteve nga Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit.
Më 3 shtator, Eygi shkoi për të marrë pjesë në një protestë në qytezën Beita në Nablus, në Bregun Perëndimor, për të dalë kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite atje.
Lëvizja raportoi se më 6 shtator, Eygi u shënjestrua dhe u vra qëllimisht nga një snajper izraelit që qëndronte në një çati aty pranë.
Dëshmitarët okularë thanë se Eygi ishte larg zonës së protestës kur u qëllua nga snajperi. Ajo u dërgua në një spital palestinez, por nuk mundi të shpëtohej me gjithë përpjekjet më të mira të mjekëve.
Eygi, e lindur në qytetin mesdhetar turk të Antalyas në vitin 1998, ndoqi stduimet në psikologji dhe gjuhë dhe kultura të Lindjes së Mesme në Universitetin e Washingtonit në Seattle.
Ajo ishte diplomuar pikërisht këtë qershor dhe ishte e njohur për angazhimin e saj ndaj aktivizmit dhe shërbimit ndaj komunitetit.