Kryetari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, e ka cilësuar të pashembullt refuzimin e KQZ, për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës.
Për Kason, ky është hapi i parë i një puçi institucional.
Kaso thekson se asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s’mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s’ka datë të dekretuar për zgjedhjet.
Ndërkohë Gazment Bardhi shkruan në “Facebook”, “Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!”
Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie.
Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ!
Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për President të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në shtetin e Edi Ramës, të ndërtuar sipas modelit orwellian të Fermës së Kafshëve, mjafton vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama!
Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 Shkurt!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi zbatimin e dekretit të presidentit, Ilir Meta i cili urdhëron ndërprerjen e zgjedhjeve dhe ngarkon këtë institucion të merrte masat për t’ia njoftuar këtë akt të gjithë subjekteve zgjedhore.
Katër anëtarët Denar Biba, me cilësinë e nënkryetarit, Rezarta Bitri, Bledar Skënderi dhe Edlira Jorgaqi e quajten “nul” aktin normativ. Te kater anetaret e KQZ-se jane zgjedhur nga PS.
Vetem kreu i KQZ-se, Klement Zguri, u largua duke mos pranuar ta diskutoje dekretin.