Një prej filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shfaq sot në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Forumit për Ukrainën. Për këtë veprimtari u përzgjodh dokumentari “Intercepted” (Të përgjuarit).
Në forum ishin të pranishëm ishin z. Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i IHRFFA, Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi i Festivalit, Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri dhe z. Volodymyr Shkurov, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Ukrainës në Shqipëri dhe ambasadorë të disa vendeve të BE-së.
Në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se, “Shqipëria është nga vendet e para që i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka mbështetur të gjitha nismat e SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare”.
“Mund të nënvizohet fort në këtë drejtim kontributi shqiptar si bashkëpenëmbajtëse me SHBA gjatë mandatit si anëtare jo e përhershme Këshillit të Sigurimit. Një detyrë e ushtruar gjatë viteve e2022-2023 me shumë dinjitet gjatë këtij mandati, ku së bashku me SHBA dhe aleatë të tjerë ishim pjesë e përpjekjeve të çmuara për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e pushtetit rus, por edhe rimëkëmbjes dhe rindërtimit të saj”.
“Më 8 mars 2022 Kuvendi miratoi rezolutën për mbështetjen për Ukrainën dhe kërkoi ndalimin e pushtimit rus. Më 3 maj 2022 presidenti Zelensky iu drejtua ndërmjet një videomesazhi Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi mori gjithashtu pjesë, nëpërmjet një video-mesazhi përshëndetës në veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”, organizuar më 21 Qershor 2022 në Amsterdam, bashkë me personalitete të larta politike, kulturore, artistike dhe aktivistë të njohur”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vazhdojë jo vetëm për çlirimin e saj e deri në çlirimin e saj, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar për një paqe të drejtë dhe qëndrueshme dhe në rindërtimin e vendit”.
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe në praninë e Ambasadës së Ukrainës, kryeparlamentarja rrëfeu disa nga momentet që ka përjetuar në udhëtimin e saj në Ukrainë, ndërsa tha se dokumentari ” Intercepted” -Të përgjuarit, është një dëshmi për luftën, e parë nga perspektiva të ndryshme, nga Ukraina dhe Rusia.
“Asnjë e vërtetë nuk vjen vetëm, përplasja e dy të vërtetave alternative që përjashtojnë njëra-tjetrën, ajo ukrainase dhe ruse në këtë rast, japin mundësinë që sekush, nga perspektiva e lirisë vetjake, të formulojë të vërtetën e tij. Kjo është forca e artit që dhe kur është kamera që fikson detajet ngjethëse të luftës, dëshmohet si një armë e plotfuqishme për të çliruar mendje dhe shpirtra njerëzorë. Siç thoshte dikur Kenedi i madh, amerikani nga Berlini i ndarë që i dha Gjermanisë, por dhe gjithë lindjes ish-komuniste një shpresë më shumë për të nesërmen. Që vërtet vonoi, por erdhi dhe për të. Sepse sado e errët të jetë nata ku udhëton një grusht njerëzish apo edhe një komb i tërë, sërish ka një mëngjes që e zbardh. Për t’u bashkuar me mrekullinë që sjell vetëm liria”.
“Të përgjuarit” është një dokumentar, prodhim i vitit 2024. Ai rrëfen shkatërrimin e Ukrainës prej luftës, duke e sjellë këtë përmes tablove të gjata. Ndërsa anën njerëzore, dokumentari e rrëfen përmes telefonatave të ushtarëve me familjet, duke zbuluar një botë paralele. Tingulli dhe imazhi përballen me njëri-tjetrin.
Përpara se të shfaqej filmi, përshëndetën forumin edhe drejtori ekzekutiv i festivalit, regjisori Kujtim Çashku si dhe prof. Theodore S. Orlin, president nderi i festivalit.
“Kam qenë në Kiev dhe kam kuptuar se, duke ndjekur dronët dhe raketat e shumta brenda 2 orëve, kuptova se ato binin në trupin e Evropës. Asnjëherë zjarri që shihet në shtëpinë e tjetrit, nuk duhet menduar se nuk do të vijë edhe në shtëpitë tona”, u shpreh Kujtim Çashku.
Ndërsa prof. Orlin tha se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është një tragjedi e shekullit të 21-të dhe mund të jetë ndër gjërat më domethënëse të këtij shekulli. Sipas tij, nëse Ukraina nuk do të fitonte, ky do të ishte një shkatërrim për rendin ndërkombëtar, për të cilin kemi punuar shumë.
“Kjo nuk është hera e parë që shohim një film për Ukrainën. Por kësaj here jemi të shqetësuar për kombin e Ukrainës”, u shpreh Orlin.
Në forumin për Ukrainën, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri të pranishmit ndoqën edhe dokumentarin “Të përgjuarit” nga Oksana Karpovych.
/Argumentum.al