Konferenca e 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5), çeli të mërkurën punimet e saj në Tiranë. Kjo konferencë po bashkëkryesohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Arben Kingji, komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli.
Fokusi i kësaj konference do të jenë zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere.
Në punimet e ditës së sotme marrin pjesë vendet nënshkruese të A-5; SHBA, Shqipëri, Bosnje-Herzegovinë, Kroaci, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndërsa në statusin e vëzhguesit janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Kosova dhe Sllovenia, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli, Itali, si dhe adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të SHBA (Neë Jersey, Maryland, Minnesota, Vermont, Maine), shtetet e Programit të Partneritetit Shtetëror Vëzhgues (Ohio, Colorado, Iowa).
Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM) dhe Forcave Supreme Aleate për Europën (SACEUR), gjenerali Christopher G. Cavoli, deklaroi sot se konferenca e Kartës së Adriatikut synon të çojë përpara parimet dhe vlerat themelore të OKB-së.
Në fjalën e tij, në çelje të Konferencës së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5), Cavoli falënderoi Presidentin e Republikës, Bajram Begaj për mikpritjen dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu për organizimin e kësaj konference.
Cavoli gjatë fjalës së tij, u shpreh se, “kjo është Konferenca e 27-të e Kartës së Adriatikut. Është një organizim shumë i mirë për ne që të kemi dialog dhe të përqendrohemi tek kjo pjesë kritike e Evropës. Kombet këtu janë të gjitha të angazhuara për të çuar përpara parimet e kartës së OKB-së dhe vlerave themelore, të cilat për ne janë shumë të shtrenjta”, tha Cavoli.
“Kjo konferencë është një themel dhe punë për ne që të shkojmë përpara për një të ardhme me prosperitet. Partneriteti ynë i vijueshëm dhe i vazhduar, jo vetëm me njëri-tjetrin, por ndër të gjithë ne mbështet këtë synim të përbashkët”, theksoi Cavoli.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, deklaroi se, “Shqipëria do vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e sigurisë”.
I pranishëm në konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës së Kartës së Adriatikut (SHBA-A5), që po mbahet në Tiranë, Vengu tha se, “ky takim simbolizon përkushtimin e vendeve tona për sigurinë kolektive, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe stabilitetin rajonal”.
“Prej vitit 2003, kur Karta u ngjiz këtu në Tiranë, së bashku, kemi ndjekur një vizion strategjik, duke kuptuar se siguria nuk njeh kufij. Sot, ne jo vetëm që reflektojmë mbi arritjet e deritanishme, por gjithashtu njohim sfidat e reja që kërkojnë përgjigjen tonë të përbashkët”, u shpreh ministri.
Vengu gjatë fjalës së tij, vuri në dukje se, sot situata gjeopolitike ka ndryshuar ndaj dhe angazhimi i ndërveprimit kërkon rritjen e kapacitetet tona të mbrojtjes.
“Peizazhi gjeopolitik po ndryshon dhe kërcënimet konvencionale, siç po tregon agresioni brutal i Federatës Ruse në Ukrainë, por dhe ato jo-konvencionale e hibride, si kibernetike, terrorizmi dhe krimi trans-nacional, vazhdojnë të evoluojnë. Prandaj, duke forcuar ndërveprimin tonë, ne rrisim kapacitetet tona të mbrojtjes, duke bërë që vendet tona të mund t’i përgjigjen me shpejtësi dhe efektivitet çdo kërcënimi”, tha ai.
Vengu thekoi se, vendet tona udhëhiqen nga një qëllim i përbashkët, për të garantuar paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë.
Ai shprehu angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për të qenë kryeqendra e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, pasi siç tha ai, “këtë vit, kryesojmë iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut, ku organizuam në qershor takimin e Balkan ChoD-s, dhe në muajin nëntor do të mirëpresim në Tiranë ministerialin e SEDM-it”.
Gjatë fjalës së tij, Vengu nënvizoi se, “fokusi i jonë është promovimi i fqinjësisë së mirë, pranimit të njërit tjetrit, integrimi i plotë Euro-Atlantik dhe forcimi i bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal”.
Vengu tha po ashtu se “Nuk duhet të lejojmë që të biem pre e interesave dhe ndërhyrjeve dashakeqëse të Rusisë, Kinës dhe Iranit, të cilat përbëjnë një triadë mjaft shqetësuese, dhe për ne si Shqipëri, ato nuk duhet të kenë vend në të tashmen dhe të nesërmen e rajonit tonë”.
“Shqipëria do vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal. Karta e Adriatikut qëndron në ballë me tregues të prekshëm, si pjesëmarrja e vendeve tona në Afganistan para shumë viteve, apo trajnime e stërvitje të përbashkëta, siç është seria e stërvitjeve “Defender Europe”, rishtazi. Ndërkohë, që po përgatisim dislokimin e një ekipi trajnues të disa vende të A5 në misionin e NATO-s në Irak (nëntor 2024), në kuadër të Programit për Zhvillimin e Edukimit në Fushën e Mbrojtjes së institucioneve të sigurisë së Irakut, duhet gjithashtu që Karta të qëndrojë besnike e parimeve themelore të saj, përfshirë “Politikën e Dyerve të Hapura”. Në këtë kuptim, më lejoni të them, që vendi i Kosovës duhet të jetë këtu, në këtë tavolinë”, tha ministri.
Fokusi i kësaj konference do të jenë zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere.
/Argumentum.al