Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar miliarda euro në ndihmë të rajoneve të prekura nga përmbytjet – që kanë goditur Evropën Qendrore dhe Lindore ditët e fundit.
Gjatë një vizite në qytetin e madh polak, Wrocław, Von der Leyen tha se 10 miliardë euro fillimisht, mund të siguroheshin nga të ashtuquajturat Fondet e Kohezionit, një nga shtyllat më të mëdha në buxhetin e BE-së.
Sipas komisionit, Fondi i Kohezionit i BE-së synon të reduktojë pabarazitë ekonomike dhe sociale dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm.
Normalisht, shtetet anëtare të BE-së duhet të kontribuojnë në fond nëse duan të përfitojnë prej tij.
Megjithatë, shtetet anëtare të BE-së të prekura nga përmbytjet do të përjashtohen nga ky rregull.
“Këto janë kohë të jashtëzakonshme dhe kohët e jashtëzakonshme kanë nevojë për masa të jashtëzakonshme”, tha Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u takua dje me kryeministrin polak Donald Tusk, kryeministrin çek Petr Fiala, homologun e tij sllovak, Robert Fico dhe kancelarin austriak, Karl Nehammer në Varshavë, Poloni.
Vendet e tyre janë prekur nga përmbytjet e mëdha dhe disa njerëz kanë vdekur.
Tusk falënderoi Von der Leyen për ndihmën e shpejtë dhe joburokratike.
“Na u deshën saktësisht 45 minuta për të rënë dakord dhe për të marrë shpjegime të kënaqshme nga Komisioni Evropian”, tha ai.