Udhëheqës nga mbarë bota do të marrin pjesë në takimin vjetor të Kombeve të Bashkuara që fillon punimet këtë të diele në Nju Jork. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, në këtë takim do të trajtohen çështjet më të mprehta që po kalon bota, mes tyre luftërat në Gazë, Sudan dhe Ukrainë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet në takim e saj vjetor, ndërsa bota po kalon një periudhë të zymtë.
“Ndasi gjeopolitike dhe konflikte të dala jashtë kontrollit, jo vetëm në Ukrainë, Gazë e Sudan, por edhe më gjerë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Ndërsa afron njëvjetori i luftës në Gazë, mbi 41,000 palestinezë janë vrarë, sipas burimeve të qeverisë lokale dhe 100 pengje ende mbahen nga Hamasi. Sidoqoftë, takimi i OKB-së nuk ka gjasa të sjellë përparime drejt një armëpushimi.
Zëri i Amerikës bisedoi me analisten Randa Slim të Institutit për Lindjen e Mesme me seli në Uashington.
“Nuk shoh ndonjë mundësi. Të dy palët, Hamasi dhe kryeministri izraelit, duket se po përgatiten për një konflikt të gjatë.”
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas padyshim që do të nënvizojnë luftën kur të flasin në Asamblenë e Përgjithshme të enjten.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy pritet gjithashtu të marrë pjesë në takim. Paqja mbetet shumë larg ndërsa kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën të martën dhe më pas në Asamblenë e Përgjithshme, Presidenti Zelenskyy pritet të theksojë nevojën për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe armë me rreze të gjatë veprimi.
Richard Gowan drejton Grupin Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë e pavarur që punon për të parandaluar luftërat dhe hartuar politika për një botë më paqësore.
“Sfida më e madhe e Kievit është që të ndalojë përparimin e Rusisë në Ukrainën lindore. E ardhmja e luftës do përcaktohet në fushën e betejës dhe jo në Kombet e Bashkuara”.
Presidenti Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në takim por do të dërgojë kryediplomatin veteran, Sergey Lavrov.
Diplomatët do të diskutojnë edhe rreth luftës në Sudan. 17 muaj luftime kanë zhvendosur mbi 10 milionë njerëz dhe zhytur miliona të tjerë në uri, pavarësisht nismave të shumta ndërkombëtare për të arritur një armëpushim.
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Presidenti iranian Masoud Pezeshkian marrin pjesë në takim për herë parë. Për Presidentin Joe Biden ky është takimi i fundit në OKB.
“Ai gëzon respekt për angazhimin në rrafshin ndërkombëtar por ka edhe keqardhje që nuk i dha një rol më të madh OKB-së në trajtimin e luftës në Gazë”, thotë Richard Gowan me Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Pas dy tentativave për atentat ndaj ish Presidentit Donald Trump, Zëri i Amerikës shtroi pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara mund të garantojnë sigurinë e më shumë se 130 udhëheqësve që do të vijnë në qytetin e Nju Jorkut.
“Janë bërë të gjitha përpjekjet. Kudo ka polici. Sigurimi Diplomatik po mbështet Shërbimin Sekret për të ofruar siguri për të gjithë krerët e shteteve që do vinë këtu”, thotë Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të nisë të dielën javën maratonë të diplomacisë botërore me një takim për të ardhmen që synon reformimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e sfidave të reja, përfshirë ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale.
“Nuk mund të krijojmë një të ardhme të përshtatshme për nipërit tanë me sisteme të ndërtuara për gjyshërit tanë”,tha zoti Guterres.
Negociatat për ‘Paktin për të Ardhmen’ kanë qenë të vështira, por pritet të miratohen./VOA