Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka tërhequr nga procedura parlamentare propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, pas kërcënimit të opozitës se do të bëjë thirrje për bojkotimin e këtij procesi statistikor nëse pushteti, sipas saj, e përjashton nga miratimi një ligji në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe interesat kombëtare të vendit.
Nga Komisioni për çështje evropiane tërheqjen e propozim-ligjit e kanë arsyetuar me pamundësinë, siç thuhet, për të siguruar praninë në seancë të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Regjistrimi i popullsisë është paraparë të mbahet vitin e ardhshëm nga data 1 deri 20 prill, ndërsa muajin qershor të këtij viti të mbahen një regjistrim pilot në dhjetë komuna, për të parë nëse zgjidhja e hartuar është e realizueshme.
VMRO-DPMNE-ja pretendon se drafti i hartuar nuk do të pasqyrojë gjendjen reale apo numrin e përgjithshëm të popullatës, pasi sipas saj, propozimi parasheh përfshirjen në regjistrim edhe të diasporës.
“Përmbajtja e zgjidhjes së hartuar ka shkaktuar hutime në opinion për atë se do të përfshihet çështja e deklarimit të përkatësisë etnike dhe religjioze të qytetarëve në regjistrim, si dhe çështja se kush do të numërohet dhe a do të përfshijë procesi edhe ata që nuk jetojnë në Maqedoni apo që gjenden me punë përkohshme jashtë vendit”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, duke akuzuar Qeverinë për siç tha, “tradhti të interesave shtetërore e kombëtare”.
Duke komentuar pretendimet e opozitës, nga Lidhja Social Demokrate përmes një komunikate kanë thënë se “VMRO-DPMNE, përveç se përhap të pavërteta, nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për regjistrimin, për shkak se 11 vjet derisa ishin në pushtet nuk arriti të organizojë regjistrimin e popullsisë. Përgatitjet për organizimin e regjistrimit janë transparente dhe profesionale sipas standardeve ndërkombëtare me përfshirjen edhe të Eurostat-it. Kërcënimet e VMRO-DPMNE-ja janë tregues se në partinë opozitare asgjë nuk është ndryshuar, por se fjalën kryesore ende e ka Nikolla Gruevski”, thuhet në reagimin e LSDM-së, partisë së kryeministrit, Zoran Zaev.
Propozim-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë parasheh që regjistrimi të përfshijë edhe personat që jetojnë me punë të përkohshme jashtë vendit, shumica e të cilëve besohet të jenë shqiptar, por ata do të përfshihen në një listë apo grafë të veçantë të fletës së regjistrimit. Regjistrimi gjithashtu parashihet të mos mund të certifikohet apo të mos jetë i vlefshëm nëse nuk përmban dy firmat e drejtuesve të Entit të Statistikës, të drejtorit dhe zv/drejtorit (shqiptar).
“Parimisht, regjistrimi do të përfshijë edhe karakteristikat etnike, kulturore dhe fetare të qytetarëve. Së dyti njerëzit tanë që jetojnë jashtë shtetit, do të regjistrohen vetëm me një deklaratë të familjarëve të tyre, duke iu prezantuar numri amë, me çka dëshmojnë se janë shtetas së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, kishte deklaruar më parë, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002 dhe në vazhdimësi ka nxitur debate mes dy etnive më të madha, shqiptarëve të cilët pretendojnë të jenë në numër më të lartë se 25 për qind, dhe maqedonasve, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i ulët se ai zyrtar prej 22.17 për qind./rel