Boshko Jakshiç[i]
Gjashtë nënpresidentë ekzekutivë, 14 nënpresidentë dhe 27 komisarë gjenden para një provimi të madh: të përcaktojnë prioritetet e BE-së në momentin kyç të gjeopolitikës globale, luftërave në Ukrainë dhe Gaza, zgjedhjet presidenciale në ShBA dhe konkurrencën ekonomike të Kinës.
Ose të adoptohen ose pason atrofija
Pas javësh manovrimesh politike nëntokësore dhe mbitokësore, spekulimesh dhe bisedimesh me qeveritë e 27 shteteve anëtare, Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Lajen paraqiti listën e komisarëve të rinj të cilët në pesë vitet e ardhshme do të krijojnë politikë duke u përpjekur që Bashkimin Europian të sjellin në periudhën e artë.
Rendi botëror nën lidershipin e Amerikës po ndryshket dhe vështirë se do të zëvendësohet me ndonjë të ri, po ashtu edhe koheziv. Pozicioni strategjik i Europës, e cila po kthehet djathtas dhe është gjithnjë e më skeptike ndaj Brukselit, është i përgatitur dobët për botën e re. Rregullat themelore mbi të cilat lindi BE-ja dhe nga të cilat patën përfitime tri gjenerata nuk janë më të garantuara dhe zbatohen gjithjë e më pak. BE-ja mbetet prapa ekonomikisht pas ShBA-ve dhe Kinës. Edhe përkundër faktit se europianët ka më shumë gjëra që i bashkojnë se i ndajnë, janë shqetësuese ndarjet e saj të brendshme që shkaktojnë krizën e besimit në modelin social-ekonomik, politik dhe kulturologjik të BE-së.
Kjo do të thotë se duhet ndërtuar një model i ri i cili do të mundësojë aleanca të reja dhe të bllokojë armiqtë. Gjashtë nënpresidentë ekzekutivë, 14 nënpresidentë dhe 27 komisarë gjenden para një provimi të madh: të përcaktojnë prioritetet e BE-së në momentin kyç të gjeopolitikës globale, luftërave në Ukrainë dhe Gaza, zgjedhjet presidenciale në ShBA dhe konkurrencën ekonomike të Kinës. Ose të adoptohen ose pason atrofija.
Von der Lajeni ofron përgjigje me tri fjalë: begati, siguri dhe demokraci, por a është formati i ri i Komisionit Europian (KE) i aftë t’u përgjigjet sfidave që ka përpara? Mënyra sesi është formuar ekipi nuk duket inkurajuese.
Procesi i emërimit të kandidatëve për funksionet e paguara shumë mirë të pushtetit ekzekutiv të BE-së u shenjua nga intriga, kompromise problematike, dorëheqje shokuese dhe përmbysje në momentin e fundit që janë figura e përpjekjeve që mes deputetëve të parlamentit Europian (PE), diplomatëve, akademikëve, gazetarëve dhe yjeve të rijaliti TV programeve të zgjidhen kandidatë nga çdo vend anëtar.
Nga reagimet e para duket se të gjithë janë të kënaqur, në mënyrë të veçantë spanjollët, kryeministri i të cilëve Pedro Sançez thotë se Madridi ka shkallën më të lartë të ndikimit deri tani në sajë të emërimit të Tereza Ribeirës në postin e nënpresdientit ekzekutiv për tranzicionin e gjelbër. Fituesi më i madh me sa duket është Italia, kandidati i së cilës Raffaele Fitto është në rrugë të mbarë për të marrë pozicionin më të rëndësishëm mes gjashtë nënpresidentëve ekzekutivë. I përkëdheluri i kryeministres Xhorxhia Meloni do të merret me çështjet e politikës së përbashkët dhe reformave, gjë e cila italianëve në Bruksel do t’u mundësojë të drejtojnë programin investues prej 1.000 miliardë euro.
Emërimii tij shkaktoi reaksione të stuhishme. Grupi i konservatorëve europianë përshëndeti dhënien e një vendi me rëndësi për djathtistin ekstrem për emërimin e të cilit i detyrohet Melonit, e cila hodhi poshtë publikisht mbështetjen për Von der Lajenin dhe u kërkoi deputetëve të partisë “Fratelli d’Italia” që të votojnë kundër rizgjedhjes së saj, por në fund triumfoi tregtia politike. Favor në këmbim të një favori me një fjalë.
Ndërsa kryeministrja e qeverisë më të djathtë italiane vlerëson se emërimi i Fittos është shumë me rëndësi për njohjen e “rolit qendror” të vendit të saj Italisë, të gjelbërit europianë vlerësojnë se në këtë rast bëhet fjalë për depërtim të rrezikshëm të së djathtës ekstreme e cila kërcënon shumicën prodemokratike në BE, ku Von der Lajeni në muajin korrik siguroi mandatin e dytë. “Fittos nuk do t’ia bëjmë të mundur një udhëtim të lehtë”. E majta mendon se kjo përbërje e KE-së është më djathtistja në histori.
Para se Von der Lajeni në Strasburg të deklaronte ekipin që do të qeveriste BE-në, vëmendjen më të madhe e tërhoqi dorëheqja dramatike e komisarit të deritanishëm nga Franca Thierri Breton. Pas një sërë konfliktesh të mëparshme u informua se nuk ka për të marrë një mandat të ri, dhe për këtë as që u thirr në bisedime me presidenten e KE-së, ai e akuzoi Von der Lajenin për “qeverisje nën pikëpyetje”. Kur u hap lajmi se komisari me eksperiencë dhe ndikim, të cilin e kishte propozuar Parisi u tërhoq, ishte se qartë se kishin dalë më në fund në sipërfaqe disa nga problemet kryesore që ka BE-ja. A mos Bretoni, i cili ishte komisar për tregun e brendshëm, kishte inicuar çështjen e konkrueshmërisë drejt së cilës e kishte drejtuar gishtin ish kryeministri italian Mario Dragi, duke bërë publik planin për rimëkëmbjen e ekonomisë europiane?
Apo Bretoni i është kundërvënë përdorimit të armëve europiane në territorin rus? Ose futjen e marrjes së vendimeve me shumicë votash në mënyrë që të pengohet rasti që një vend, me veton e tij, të bllokojë tërë Unionin? Përgjigje nuk ka por një gjë është e ditur: Von der Lajeni i’a arriti të largojë kritikun e saj me një deficit mjaft të madh transparence demokratike.
Nga kancelarija e presidentes deklarojnë se nuk do të ketë një përgjigje. Përse? Përse frau Ursula është shumë krenare për metodën e saj “të fshehtësisë” që ka përdorur në bisedime nga kryeqyteti në kryeqytet, nga partia në parti, nga një njeri te tjetri. Me fjalë të tjera, krijimi i KE-së, në lojën politike mes Parisit dhe Brukselit ishte proces mjaft i personalizuar.
Ajo që kërcënonte të ishte termet, u zgjidh shpejt. Presidenti Emanul Makron, i cili vitet e fundit ka lançuar vizionin e “autonomisë strategjike” të Europës – në ndryshim nga kancelari Olaf Sholc i cili kurrë nuk shfaqi kapacitete për një lider Europe, madje edhe të Gjermanisë – shumë shpejt pas Bretonit emëroi shefin e tij të diplomacisë Stefan Sezhurne. Pluhuri u ul, por gjurmët e allishverisheve jodemokratike nuk u zhdukën.
Numurin më të madh të posteve, 14 syresh, e mori grupimi më i madh e popullorëve konservatorë (EPP) në Parlamentin Europian. “Ne i japim formë Europës”, deklaroi lideri i grupit të qendrës së djathtë Manfred Veber. Doli se njëzet vende anëtare kanë kërkuar portofole të lidhura me ekonominë. Si ishte e mundur të realizohej kjo, pati edhe befasira, Ministrat e financave të Austrisë dhe Irlandës u bënë komisar përktësisht për migracionin dhe drejtësinë.
Von der Lajeni secilit prej të emëruarve do t’i dërgojë letër në të cilën do të përmbahet vizioni i mandatit të saj. Pastaj vijon një skrining i vërtetë dhe shfletosje para komisioneve parlamentare të PE-së dhe përfundimisht në mesin e tetorit votimi në parlament i cili tani, nga pikëpamja politike, është më i fragmentuar se ai i mëparshmi.
Megjithëse barazia mes gjinive nuk është realizuar, në përbërje të KE-së janë 40 përqind gra, gjë që është sukses duke patur parasysh se në listën e parë të kandidatëve gratë përbënin afro një të pestën e të propozuarve. Për emërimin më gjatë pritën Marta Kos nga Sllovenia meqënëse Tomazh Vesel tërhoqi kandidaturën dhe me këtë shkaktoi një konflikt të ashpër mes kryeministrit (slloven) Robert Gollob dhe opozitës.
Në fund Marta Kos u propozua ai komisare për politikën e fqinjësisë lindore, të njohur edhe si politikë e zgjerimit, funksion i cili më shumë i intereson rajonit tonë. Mendoj se ky është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në kuptimin e mbështetjes për integrimin por edhe në bazë të deklaratës së zonjës Kos se do të mbështesë shtetet kandiate në mënyrë që të përgatiten për antarsim në Union, nga ku mund të konkludohet se reformat e vërteta do të marrin një vëmendje më të madhe.
Si diplomate me eksperiencë dhe si politikane me koncepte liberale e cila vjen nga një vend që mbështet zgjerimin, Marta Kos mund të sjellë ndryshime cilësore në raport me komisarin e deritanishëm Oliver Varhely, i cili është akuzuar se nuk e ka dëgjuar BE-në, por ka qënë hija e Viktor Orbanit dhe kësisoj ka mbështetur tendencat autokratike. Varhely është kandiduar për postin e komisarit për shëndetin dhe mirëqënien e kafshëve, gjë që është njëfarë hakmarrje e vogël e Von der Lajenit ndaj Orbanit.
Në kohën kur, para së gjithash për shkak të luftës në Ukrainë, ideja e zgjerimit është aktualizuar, zonja Marta Kos do të mund të shfrytëzojë momentin dhe kësisoj të ndalë rënien e motivimit dhe rritjen e euroskepticizmit që është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor. Përparësia e saj është se vjen nga Sllovenia e cila është partner i pranuar nga të gjithë në rajon, por për shkak të mosgatishmërisë së saj për kompromise rreth masave të vendosura për anëtarët e ardhshëm dhe për të kundërshtuar mendimin se BE-ja shpërblen ata që ulen në dy karrike, do të ndeshë në rezistencën memece të forcave antireformatore të cilat e përjetojnë BE-në më shumë si bankomat dhe më pak si simbol vlerash dhe demokracie të sinqertë.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/novi-komesari-a-novi-model-eu-984586