Komisionari i Lartë i OKB-së për të drejtat, Volker Türk, denoncoi ashpër serine e shpërthimeve vdekjeprurëse të pajisjeve “pager” dhe pajisjeve tjera të komunikimit në Liban, duke e quajtur atë “një krim lufte”, transmeton Anadolu.
Duke thënë se ai është “i tmerruar” nga sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve në Liban më 17 dhe 18 shtator, Türk tha në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “këto sulme përfaqësojnë një zhvillim të ri në luftë, ku mjetet e komunikimit bëhen armë”.
“Kjo ka shkaktuar frikë, panik dhe tmerr të përhapur mes njerëzve në Liban, të cilët veçse vuajnë nga një situatë gjithnjë e më të paqëndrueshme që nga tetori i vitit 2023 dhe janë përballur me një krizë të rëndë dhe afatgjatë ekonomike. Kjo nuk mund të jetë normalja e re”, paralajmëroi ai.
Duke theksuar se “lufta ka rregulla për secilën palë” të konflikteve të armatosura, Türk theksoi: “Duhen marrë të gjitha masat paraprake të mundshme për të kursyer civilët. Sulmet duhet të mbeten proporcionale me dëmin më të gjerë që ata shkaktojnë.”
Türk deklaroi se “sulmi nuk duhet të kryhet” nëse “sulmuesi” nuk është në gjendje të bëjë një vlerësim të ndikimit të tij mbi civilët dhe kërkoi “një hetim të pavarur, të plotë dhe transparent për rrethanat e këtyre shpërthimeve”.
“Kjo situatë tragjike nuk mund të shihet e izoluar”, pohoi ai, duke shtuar se ajo “është e lidhur me luftën në Gaza, dhunën në rritje në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, dhe pushtimin e vazhdueshëm të territorit palestinez nga Izraeli”.
Të martën dhe të mërkurën, 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.250 të tjerë, duke përfshirë fëmijë dhe gra, u plagosën në një seri shpërthimesh që goditën pajisjet “pager” dhe “ICOM” në Liban. Nuk ka pasur asnjë koment izraelit për shpërthimet