Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, e para që nga marrja e detyres si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, gjithashtu është vizita e parë zyrtare e nivelit të lartë që pas zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut ku në pushtet erdhi Hristjan Mickovski dhe Partia VMRO- DPMNE.
Znj. Soiropali është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.
Gashi dhe Spiropali zhvilluan një takim tet-a-tet, ndërsa më pas u mbajt edhe takim mes delegacioneve. Spiropali gjithashtu u nënshkrua në Librin e Përshtypjeve, ndërsa më pas u zhvillua një konferencë e përbashkët për media.
Gashi u shpreh se kjo vizitë paraqet një mundësi që përcillet mesazhi se miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.
“Vendet tona në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-si dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal. Mendoj se kjo është e mundur, duke pasur parasysh se shoqëritë tona po zhvillohen edhe më shumë dhe ka më shumë vullnet politik dhe hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit”, tha Gashi.
Spiropali në fjalimin e saj u shpreh se niveli i marrëdhënieve mes dy vendeve është i shkëlqyer, duke shtuar se parlamentet e dy vendeve duhet të shërbejnë si instrumente dialogu që ndikojnë në përafrimin e mëtejshëm mes dy vendeve.
“Në Shqipëri ka një vëmendje të posaçme për të gjitha zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, pikërisht për rëndësinë gjithashtu të posaçme me të cilën i trajtojmë këto marrëdhënie”, u tha Spiropali, duke shprehur gatishmëri të vazhdojnë me dialogun në të mirë të qytetarëve.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Afrim Gashi se cenimi i gjuhës shqipe cenon identitetin e shqiptarëve, teksa shtoi se kjo çështje në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhet sipas marrëveshjes së Ohrit.
Spiropali u shpreh se “presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet tërësisht edhe ligji për gjuhët”.
“Gjuha shqipe së paku për ne është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë padyshim dhemb shumë dhe dhe cenon pikërisht këtë identitet që ne afrojmë në këtë botë të madhe në rajon e përtej, si vlerën tonë”, u shpreh Spiropali.
“Njohim dhe mirëkuptojmë plotësisht shqetësimet për mundësitë e ndryshimeve të mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje po sipas frymës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit”, shtoi ajo.
Spiropali theksoi se “faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut vazhdon të luajë një rol të qenësishëm në ruajtjen e stabilitetit të vendit”.
“Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet e vendit, bazuar edhe në këtë realitet gjeopolitik të rajonit dhe në interes të ndërsjellë, do të vijojë, sipas standardeve bashkëkohore demokratike të një shoqërie multietnike. Kjo gjë është një nga kushtet që garanton përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike, të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, shtoi ajo.
Kryeparlamentarja Spiropali me Kryeministrin Mickoski: Të avancojmë me bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh dhe partneritetin në NATO
Në vijim të vizitës në RMV, Kryeparlamentarja Spiropali u takua me Kryeministrin Hristijan Mickoski.
Znj. Spiropali nënvizoi vullnetin e Shqipërisë për avancimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe kontributin e përbashkët në nxitjen e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. “Shqipëria gëzohet për çdo arritje të RMV drejt anëtarësimit në BE-së dhe si partnere në NATO. Të dy vendet tona do të vijojnë të bashkëpunojmë për thellimin e reformave demokratizuese dhe integruese, përafrimin e legjislacionit dhe të politikave me standardet e BE-së si edhe perspektivën euroatlantike të BP. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë anëtarësimin në BE. Të ruhet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve dhe gjuha shqipe; Vendet tona gjenden në zemër të Korridorit VIII, një projekt strategjik dhe një mekanizëm bashkëpunimi, integrimi e sigurie në rajon e më gjerë dhe ne duhet të shfrytëzojmë këtë avantazh. ˝, theksoi znj. Spiropali.
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë dhe progresin drejt integrimit europian dhe u shpreh se të dy vendet tona e kanë merituar prej kohësh anëtarësimin në BE. Nuk duhet të ngrihen pengesa artificiale në këtë proces sepse arritjet tona drejt standarteve europiane janë të dukshme dhe të prekshme.
Spiropali, takon Ali Ahmetin, Talat Xhaferin dhe Kryetarin e LSDM, Felipče
Në vijim të vizitës në Shkup, Kryetarja e Kuvendit Spiropali u takua me z. Ali Ahmeti, Kryetar i BDI, dhe z. Talat Xhaferi, ish Kryetar i Kuvendit të RMV dhe ish kryeministër, me të cilët diskutoi mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor demokratizimi, integrimi, stabiliteti e paqeje në vend e në rajon dhe nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e RMV. Kryetarja e Kuvendit u shpreh kështu:
“Gjithmonë i veçantë takimi me Kryetarin e BDI, bacën Ali Ahmeti, dhe z. Talat Xhaferi, ish-kryetar i Kuvendit dhe ish-Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Krenarë mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti, paqeje dhe orientimi euro-atlantik në vend, ku theksuam nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e RMV si dhe respektimin e arritjeve shumëplanëshe të tyre në funksion të një shoqërie multietnike e demokratike.”
Me kryetarin e LSDM-së, z. Venko Felipče, Kryetarja Spiropali diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera me RMV, partneritetin si anëtarë të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në BE, integrimit rajonal dhe përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në RMV. Znj. Spiropali shprehu vlerësimin për qeverisë e drejtuara nga LSDM-së për avancimin e RMV drejt integrimit në BE, progresin politik dhe ekonomik të RMV dhe përpjekjet për të krijuar një shoqëri funksionale demokratike multietnike.
/Argumentum.al