Derisa është larg kapërcimit të vështirësive, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, mund të ndihet i lumtur së paku pas zgjedhjeve të së dielës në Brandenburg, landin e ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë, i cili kufizohet me kryeqytetin federal, Berlin.
Partia e tij e Socialdemokratëve (SPD), e cila e ka udhëhequr këtë land që nga ribashkimi i Gjermanisë, ia doli të zërë vendin e parë përsëri, pasi kishte ngelur mbrapa partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pothuajse gjatë gjithë fushatës.
Në fund, SPD-ja i fitoi 30.9 për qind të votave, duke shënuar përmirësim krahasuar me 26 për qind sa i kishte fituar para pesë vjetëve, dhe e la AfD-në mbrapa në vendin e dytë me 29.2 për qind të votave.
Ky rezultat është lehtësim afatshkurtër për Scholzin në shumë mënyra. Ai jeton në Potsdam, kryeqytetin e Brandenburgut, dhe partia e tij më në fund shënoi një fitore pas rezultateve të tmerrshme në Turingi dhe Saksoni, dy landët e ish-Gjermanisë Lindore, para tri javëve, ku mezi mbijetoi.
Në javët e fundit ka pasur seç herë e më shumë pikëpyetjet për atë se sa gjatë mund të udhëheqë Qeveria federale pas rezultateve kaq të dobëta. Megjithatë, tani duket se të paktën mund të arrijë disi në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për shtatorin e vitit 2025.
Çështja, megjithatë, është se sa shumë merita duhet të marrë Scholzi për këtë rezultat. Ai e ka ndryshuar tonin në javët e fundit, në përpjekje për t’i adresuar druajtjet rreth emigrimit dhe skepticizmit për Ukrainën, të cilat mbizotërojnë në pjesë të mëdha të elektoratit, kryesisht në pjesën lindore të vendit.
Ai ka folur më zëshëm rishtazi për bisedime për paqe, në të cilat duhet të përfshihet edhe Rusia, ndërsa në fillim të shtatorit, ai i riktheu kontrollet kufitare në të gjithë kufijtë e Gjermanisë, në tentim për ta luftuar emigracionin pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin perëndimor, Solingen, në gusht, për të cilin përgjegjësinë e mori Shteti Islamik.
Prapëseprapë, në shumë aspekte, rezultati përfundimtar duket të jetë arritur falë një kombinimi mes njerëzve që kanë votuar për partinë e tij si zgjidhja e fundit për ta parandaluar AfD-në nga fitorja dhe popullaritetit të kryeministrit të tanishëm të Brandenburgut, Dietmar Woidke, i cili, edhe pse është bashkëpartiak i Schozlit, e shpërfilli atë gjatë fushatës dhe e kritikoi Qeverinë federale.
Gjithashtu, ia vlen të theksohet se dy partnerët e koalicionit federal, të Gjelbërit dhe Partia Liberale FDP, dështuan plotësisht në Brandenburg. E para i mori 4.1 për qind të votave dhe kështu dështoi ta kalojë pragun prej 5 për qind për t’u përfaqësuar në parlamentin e landit, ndërsa FDP-ja i mori 0.8 për qind të votave, që është rezultati më i dobët ndonjëherë në zgjedhje rajonale.
Dhe, derisa AfD-ja dështoi të dalë e para në Brandenburg, ajo shënoi rritje përsëri. Nuk ka dyshim se kjo parti është prapëseprapë fituesi më i madh pas zgjedhjeve në landët lindore në shtator.
Ajo përfundoi në vendin e dytë shumë pranë fituesit në dy prej tyre dhe u bë partia e parë e ekstremit të djathtë prej Luftës së Dytë Botërore që e fiton një land, Turinginë. Natyrisht, pjesë lindore e vendit dallon shumë, sepse një pjesë e madhe e elektoratit është kundër emogracionit dhe kanë ndjenja më të ngrohta karshi Moskës.
Kjo u pasqyrua nga suksesi i partisë së re majtiste, BSW (Sahra Wagenknecht Alliance), e cila doli e treta në Brandenburg me 13.5 për qind të votave të fituara, dhe ka qëndrime shumë të ngjashme politike me AfD-në.
Në nivel federal, partitë e ekstremit të majtë dhe ato të ekstremit të djathtë mund t’i fitojnë një të tretat e votave. Ato, megjithatë, do të kenë ndikim në lojtarin më të madh ekonomik të BE-së para zgjedhjeve, duke i bërë trysni për emigracionin dhe Ukrainën.
Dhe, kjo nuk po ndodh vetëm në Gjermani. Populisti çek, Andrej Babis, doli mirë në zgjedhjet rajonale të mbajtura fundjavën e njëjtë si votimi në Brandenburg, dhe ai duket të jetë në pozitë të mirë për t’u bërë kryeministër i vendit vitin e ardhshëm. Austria do të mbajë zgjedhje parlamentare fundjavën e ardhshme.
Atje, partia populiste e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO) është duke prirë bindshëm në sondazhe. Evropa është duke i shikuar interesat e veta tani./REL