Kreu i ushtrisë izraelite u kërkoi trupave ushtarake të ishin gati për një ofensive të mundshme tokësore kundër Libanit, ndërkohë që sulmet e rënda ajrore izraelite hynë sot në ditën e tyre të tretë, ndërsa militantët e “Hezbollahut” shënjestruan qytetet e Tel Avivit dhe Eilatit.
Sulmet në Liban dhe dobësimi për pasojë i fuqisë ushtarake të grupit militant shiit “Hezbollah” kanë hedhur themelet për një inkursion të mundshëm tokësor, u tha trupave të shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi.
“Ju e dëgjoni zhurmën e avionëve; kemi sulmuar gjatë gjithë ditës”, tha shefi i shtabit teksa inspektoi një stërvitje trupash në kufirin verior, sipas një njoftimi të ushtrisë izraelite.
“Këto sulme kryhen për të përgatitur një inkursion të mundshëm tuajin, si edhe për të dobësuar më tej Hezbollahun”, shtoi ai.
Më herët, komandanti i ushtrisë izraelite për veriun, Ori Gordin deklaroi se ushtria po mobilizonte edhe dy brigada rezervistësh për misione në zonën veriore dhe se trupat duhej të ishin gati për një manovër tokësore.
Synimi i Izraelit është që të rikthejë në shtëpitë e tyre rreth 60 njerëz të shpërngulur në veri për shkak të sulmeve të përditshme të grupit militant të mbështetur nga Irani.
Përleshjet ndërkufitare prej më shumë se 11 muajsh kanë detyruar gjithashtu mijëra libanezë të braktisin shtëpitë e tyre.
Burime të “Hezbollahut” deklaruan se luftëtarët militantë ishin “gati të përballeshin me çdo pushtim të mundshëm tokësor”.