Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kjo është një ditë e mirë për të vërtetën, ndërsa iu referua vendimit të Gjykatës së Apelit që dënoi sot me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Rama tha se e vërteta vonoi shumë, po më në fund nuk harroi të vinte.
“Pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dezinformuese deri në formën kriminale të Kallëzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dezinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën”, tha Rama.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit:
“Pas 34 vjetësh sovranitet të pakufizuar si një shtet brenda shtetit, Mbretëria e vetëshpallur e Shpifarakëve ka cenuar mijëra e mijëra jetë njerëzish e familjesh dhe ndotur përditë e përditë mjedisin publik të Shqipërisë, duke llahtarisur të madh e të vogël me jashtënxjerrjet e gojëve të shthurrura të mexhelisit tonë politik e mediatik, përmes abuzimit ekstrem me Lirinë e Fjalës dhe triumfit të Lirisë së Shpifjes si një kancer i përbindshëm shoqëror, i cili e ka epiqendrën e vet në organin jetik të kuvendarëve të Shqipërisë, ku ata që i kanë bërë ligjet kundër shpifjes (dhe e kanë ligjëruar kallzimin e rremë si vepër penale kundër drejtësisë) janë edhe shkelësit më të egër e sypatrembur të tyre.
Në këtë vend ku për 34 vjet nuk ka mbetur i gjallë e i vdekur pa u ndotur nga llumi i lumit të atyre jashtënxjerrjeve të përditshme, e ku gjyqet e panumërta për shpifje ndaj politikanëve zgjasin me vite të tëra e pastaj kthehen në pesë me hiç kur shpifësit dënohen me ca gjoba simbolike, duke luajtur rolin e viktimave të një regjimi imagjinar dhe duke shpifur edhe më keq sapo marrin dënimin qesharak, sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë, lidhur me një histori që përpara disa vjetësh tronditi mbarë opinionin publik përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re; e cila ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës që e kontrolluan drejtësinë qysh prej shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, ku kurrë asnjëherë një individ me pushtet politik nuk u dënua nga një drejtësi e pavarur, deri kur Drejtësia e Re filloi të godasë majtas e djathtas, duke ecur drejt në rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë!
E Vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën.
Ne socialistët në qeveri, kemi hequr dorë prej vitesh nga çdo gjyq për shpifje kundër gazetarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë për shumë arsye, por nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medies, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës. Padiskutim që kjo është një luftë krejt e pabarabartë, ku në këtë rast shumica qeverisëse është një pakicë e papërfillshme përballë maleve e lumenjve të Shpifjes, por ne nuk do ta pranojmë kurrën e kurrës Mbretërinë paralele të Shpifarakëve si një pasojë fatale të bashkëjetesës në një shtet demokratik”.
Dënimi i Salianjit, Bardhi: Keqpërdorim i gjykatave
Lidhur me këtë qëndrim të Kryeministrit Rama, ka reaguar dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai u shpreh se ky është keqpërdorim i gjykatave për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën.
“Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën. Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE-së. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, u shpreh ndër të tjera Bardhi në reagimin ndaj deklaratave të kryeministrit Rama.
Salianji: Në luftë ka dhe sakrifica!
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas qendrimeve të Kryeministrit Rama. Ai tha se në luftë ka dhe sakrifica. “Nuk kam pasur kurrë asnjë post, asnjë tender, nuk kam mbi shpinë as shitjen e miqve as shitjen e shokve, e vëllezërve. Madje as jashteqitja s’më bie erë korrupsioni e droge. Jam brezi i ri politikes që nuk më kërconon dot me dosjet e SHISH-it, Sigurimit të Shtetit, dhe as jam hetues apo prokuror i komunizmit, e as i kapur nga krimi e llumi”, thekson Salianji
“Opozitës i dhanë burg për shpifje! E vetmja ndjesë keqardhje që kam sot është për familjarët e miqtë e pafundmë që janë shqetësuar atyre e mijëra demokratëve, i detyrohem! Demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor nuk do ta mposhtin dot! E sotmja për mua është medalja më e lartë që më ka dhënë regjimi, për demokratët e qytetarët kambanë për zgjim! Ne do ja dalim”, përfundoi Salianji.