REALPOLITIK FLASH NR. 96
16 – 30 SHTATOR 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Ballkani në Bruksel dhe Nju Jork me 6 liderët e tij. Në Bruksel më 18 Shtator në një drekë pune me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Takimi i saj i parë me ta mbas rikonfirmimit dhe në stinën e re politike europiane. Ndonëse takimi ishte për përgatitjet lidhur me përfitimet nga Pakti Ekonomik i Rritjes, gjithçka ishte më tepër për “t’u çmallur” mbas pushimeve verore, foto familjare, buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh. Asgjë më shumë.
I njëjti skenar dhe në Nju Jork më 25 Shtator, ku Darkën e punës e dha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, ndoshta dhe lamtumira e tij. Njësoj si Brukseli, vetëm vendi ndryshonte. Siç e kemi thënë dhe më parë, këto takime rajonale janë kthyer në teatro politike lëvizëse, pa vlerë dhe rezultat, veç imazhit dhe atmosferës së këndshme të pijeve dhe kulinarisë për liderët e tij.
2.Panair Botëror diplomatik mund të quhet vërtet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila ka tri javë e mbledhur në sesionin e saj vjetor të 79-të. Kam qenë tri herբ dhe vetë në ”Pallatin e Qelqtë” disa vite më parë; aty thjesht ekspozohen dhe ”shiten” mostrat, idetë dhe konceptet e produkteve politike. Më tepër në formën e një marketing politik, sidomos për vendet e vogla si i yni, pa ndonjë ndikim në realpolitikën ndërkombëtare, sipas sloganit “ rroftë sebepi”! Vetëm fjalime, takime dhe premtime, asnjë vendim dhe reformë ” fjalë im Zot fjalë!”.
3. Bektashistani si fakt i kryer! Natyrisht lajmi që bëri bujë deri në Nju Jork dy javët e fundit ishte njoftimi mbi krijimin e minishtetit Bektashian, sipas modelit të Vatikanit. Kjo temë është trajtuar gjerësisht te ARGUMENTUM, ndaj këtu po përmendim vetëm se ai u bë ” fakt i kryer”, pa asnjë informim dhe transparencë paraprake publike, siç ndodh në një vend demokratik. Pa shpjegime për dobinë dhe nevojën e këtij minishteti. Kjo mund dhe duhej të ishte bërë më parë në tryeza debatesh në media, në takime me komunitetet fetare, në Kuvend dhe gjetkë. Ndërkohë, diplomacia jonë duhej të bënte paraprakisht ” matjen e pulsit” të vendeve të tjera, në mënyrë që dhe nëse e kur të krijohej ky minishtet, të ishte krijuar bindja dhe konsensusi i nevojshëm për një gjë të tillë pa probleme dhe pengesa. Këtu veç aleatëve tanë të mëdhenj, të cilët po flasin me ” gjysëm zëri” për këtë çështje, kujdes i veçantë duhej të tregohej me vendet fqinje, në mënyrë që ky shtet i ri të mos kthehet as në precedent, se terreni gati është dhe as ” mollë sherri”. Sepse gjërat jashtë nesh nuk ecin dhe zhvillohen vetëm sipas logjikës kryeministrore shqiptare.
Dihet se diplomacia e huaj kudo ” gjuan” me vëmendje çdo rast e sidomos kur vjen fjala për ” dhurata” të tilla pa kosto nga vetë vendi organizator. Vetëm atëhere mund të ” shitej” ky produkt te Nju Jork Times dhe gjetkë. Po të ishte vepruar kështu nuk do të ishte më nevoja as për replika të gjata kryeministrore në distancë ndaj kundërshtimeve të shumta që vijnë nga akademikë, komunitetet fetare, publike, etj. Një reagim pa vend inatçor, pa mirësjelljen e duhur, pa vëmendje dhe respekt ndaj mendimeve ndryshe dhe kundër, çka dallon një rend dhe lider të vërtetë demokratik.
4. Më në fund negociatat! Po, më 15 Tetor do të zhvillohet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila shënon dhe çeljen praktike të grupit të parë të kapitujve përkatës ” Themelore” shteti ligjor, liritë themelore, drejtësia, etj. Kjo u bë e mundur mbas heqjes se vetos greke dhe ndarjes sonë nga Maqedonia e Veriut, me të cilën ishim ” çift” nga viti 2019. Ky përbën një moment të ri mobilizimi, duke filluar nga qeveria, opozita, media, shoqëria civile, diplomacia, komuniteti ekonomik, etj. Me qëllim që të bëhet e mundur ose t’i afrohemi sa më shumë objektivit të shpallur nga Kryemnistri Rama që viti 2030 të na gjejë në BE.
Sa për rezervat për ndarjen tonë nga Maqedonia e Veriut, për shkak të moszbatimit nga ana e saj të marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, këtë temë e kam shtjelluar gjerësisht dhe në librin tim më të ri ” Negociatat, sfida e fundit e integrimit”. Para tre vitesh atje argumentoja përse duhet të vazhdonim të ishim bashkë deri në fund të vitit 2022, ndërsa më vonë të kërkonim dhe vetë ndarjen prej saj. Pavarësisht nga ndjeshmëritë, patriotizmi, aspekti moral, solidariteti ynë me Shkupin dhe bashkëatdhetarët tanë atje, ndarja është alternativa më e mirë, bindëse dhe me rezultat dhe për vetë Maqedoninë e Veriut.
Sepse ne nuk mund t’i themi BE-së dhe vendeve të tjera aleate, faleminderit, por ne nuk duam t’i çelim negociatat pa Shkupin. Nuk funksionon kështu realpolitika. Ky qëndrim do të hidhej poshtë nga BE-ja, ai do të na ”ftohte” me Sofjen dhe Athinën, me Brukselin dhe vende të tjera të cilat kanë lobuar vazhdimisht për çeljen e negociatave me ne, sipas meritave. Nga ana tjetër, ne kemi 5 vjet bashkë me Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe na lanë aq gjatë, por prapë asnjë rezultat nuk solli, siç ishte menduar, as ndaj Bullgarisë dhe as ndaj Shkupit. Madje gjërat shkuan nga ” shiu në breshër”. Për pasojë, vazhdimi i ” çiftit” tonë integrues nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim në politikën e Shkupit zyrtar e as të Bullgarisë dhe Greqisë. Mirëpo, BE-ja nuk bën dot asgjë pa Sofjen dhe një vend anëtar i BE-së ka përparësi dhe besueshmëri më të madhe se një kandidat.
Po ashtu, qëndrimi bashkë mund të shfrytëzohej nga qarqe të caktuara në Shkup për t’u ”fshehur si struci” ose si trysni ndaj Sofjes dhe Athinës zyrtare duke mos bërë përpara. Natyrisht që kemi dhe do të gjemë dhe mënyra të tjera për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen tonë për fqinjët dhe bshkëatdhetarët tanë për të ecur në procesine inegrimit, me frymë europiane dhe me vështrimin përpara. Tani t’i hyjmë punës mirë, se vërtet do t’i çelim negociatat më 15 tetor, por askush nuk e di se kur do të mbyllen, se janë 6 grupe kapitujsh me shumë kushte dhe problematika; për pasojë, veto do të na qendrojë si çekan te koka nga vende të veçanta dhe nga gjithë BE-ja. Krimi, korrupsioni dhe disa akte e ligje të diskutueshme e të kundërshtuara nga BE-ja janë pengesa serioze që kërkojnë kohë.
© 2024 Argumentum