Pas dy medaljeve historike në Lojërat Olimpike Paris 2024, Shqipëria ka fituar medaljen e parë të artë në sportin e taekwondo-së në samitin “5th Albanian Open G1 TAEKWONDO”, i cili u zhvillua për herë të pestë në Tiranë, në kuadër të Javës Europiane të Sportit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kampioni Ernest Merdanaj, me pikët e fituara në këtë kampionat, po bëhet gati për të përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike të Los Angeles 2028.
“Më vjen mirë që, pas Parisit, edhe këtu morëm dy medalje. Jam vërtet entuziast që sportistët tanë kanë filluar që tani të mbledhin pikët që do na çojnë drejt Los Angeles në 2028. Shumica prej jush jeni shumë të rinj, ndaj gjasat janë që do jeni miq jo vetëm këtë vit, por deri në lojërat e ardhshme Olimpike dhe ne të tjerët mezi presim që t’ju duartrokasim dhe të themi që jemi krenarë për ju”, tha Veliaj.
Kampionati që solli 900 sportistë nga 48 vende të botes dhe 255 klube, u zhvillua nën kujdesin e dy shoqatave “Qendra TAEKWONDO” & “Top Gym Sport”, së bashku me Federatën Shqiptare Taekwondo, KOKSH, MAS dhe Bashkinë Tiranë.