Kuvendi i Shqipërisë nisi këtë të hënë seancën plenare ndërsa deputetët e opozitës u rreshtuan para foltores në shenjë proteste pas arrestimit të deputetit të PD-së Ervin Salianji.
Garda e Republikës u rreshtua para foltores ndërsa deputetët hodhën sende drejt kryeparlamentares Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vijoi seancën duke njoftuar vakancën e krijuar pas arrestimit të Salianjit për kallëzim të rremë për dosjen “Babalja”.
Në lidhje me urdhrin e ekzekutimit të vendimit penal për deputetin Salianji, Spiropali tha se rregullorja e Kuvendit nuk parashikon mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në rastet kur mandati i deputetit mbaron për shkak të dënimit me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Pas shpalljes së vakancës, Kuvendi njofton KQZ për zëvendësimin e deputetit.
Pas përplasjes dhe bllokimit të foltores, deputetët e opozitës kanë nxjerrë karriget jashtë sallës së Kuvendit dhe iu kanë vënë flakën.
Flakët për një moment dolën jashtë kontrollit duke kërcënuar hyrjen e parlamentit. Garda fiku flakët.
Pas djegies së karrigeve, deputetët e opozitës u rikthyen sërish në seancë. Spiropali u bëri thirrje deputetëve të opozitës t’ i rikthehen normalitetit. Ajo deklaroi se Kuvendi nuk ka lidhje me vendimet e gjykatave.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi kërkoi ndërprerjen e seancës, kërkesë kjo që u miratua nga kryeparlamentarja, e cila njoftoi 10 minuta pushim