Përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë e cilësojnë të papranueshme atë që ndodhi në parlament nga opozita seancën e 30 shtatorit dhe kërkojnë dialog mes palëve.
Para fjalës në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare te Nismës së Evropës Qendrore, ambasadori i BE, Silvio Gonzato e cilësoi të papranueshme gjithçka ndodhi, ndërsa palëve u kërkoi të ulen në dialog dhe të shmangin përshkallëzimin.
“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra oër ta shprehur mendimin. Pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin. Thirrja që unë u bëj të gjithëve në këtë moment është tu ktheheni dialogut, jo që të bini dakord për gjithçka për të diskutuar dhe dialoguar. Gjithashtu të shmangen sulmet personale apo verbale. Lutem që të ulet përshkallëzimi” tha ambasadori i BE-së, sot në një reagim për gazetarët jashtë sallës së kuvendit ku dje PD organizoi kaosin nxitur siç thotë ajo pas dënimit me 1 vit burg të deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Ambasada e SHBA-së: Thellësisht e shqetësuar
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar ditën e sotme për dhunën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë nga përfaqësuesit e opozitës. Në njoftimin e saj Ambasada Amerikane shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar dhe shprehet se akte të tilla dëmtuese nuk kanë vend në procesin demokratik.
Ata bëjnë thirrje që palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbaje dhe të angazhohen në dialog. Nga ana tjetër Ambasada Amerikane ka theksuar se mbështet diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike.”-njoftimi i Ambasadës Amerikane.
Ambasada britanike: Dhuna nuk ka vend në demokraci
Ambasada britanike në Tiranë dënoi sot aktet e dhunës dhe djegien e karrigeve të Kuvendit në seancën e djeshme parlamentare nga deputetët e opozitës.
Ambasada britanike thekson se dhuna nuk ka vend në demokraci.
“Ambasada britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare”, thuhet në reagim.
“Ambasada britanike dënon aktivitetin që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.
/Argumentum.al