Sulmi me raketa balistike i Iranit ndaj Izraelit “duket se ka qenë i mposhtur dhe i paefektshëm”, tha sot Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan.
Sullivan u tha gazetarëve se Irani gjuajti rreth 200 raketa balistike në Izrael, të cilat ShBA-ja punoi me forcat izraelite për t’i interceptuar, duke përfshirë përdorimin e anijeve luftarake të marinës për të gjuajtur interceptorë “për të rrëzuar raketat në hyrje”.
“Ne jemi ende duke punuar me IDF-në dhe autoritetet në Izrael për të vlerësuar ndikimin e sulmit. Por, në këtë kohë, dhe theksoj në këtë kohë, ne nuk dimë për ndonjë vdekje në Izrael”, tha Sullivan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se raportet fillestare tregojnë se një palestinez u vra në Jeriko.
“Ky ishte para së gjithash, rezultat i profesionalizmit të IDF-së, por jo pak, për shkak të punës së aftë të ushtrisë amerikane dhe planifikimit të përbashkët të përpiktë në pritje të sulmit”, tha ai.
Sullivan tha se ShBA-ja tani do ta kthejë vëmendjen e saj në peshimin “se cilët janë hapat e duhur të ardhshëm për të siguruar para së gjithash interesat amerikane dhe më pas për të promovuar stabilitetin në masën maksimale të mundshme”.
Ai theksoi se administrata Biden është “krenare” për përpjekjet e saj për të mbrojtur Izraelin, duke përsëritur një paralajmërim nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë se Irani do të përballet me “pasoja të rënda” për sulmin.
“Ne do të punojmë me Izraelin për ta bërë këtë rast të mundur”, tha ai.
Në një deklaratë paraprake, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRCG) tha se sulmi ishte në përgjigje të vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh, liderit të Hezbollahut Hassan Nasrallah dhe komandantit të IRGC-së, Abbas Nilforoshan.
Garda Revolucionare paralajmëroi se nëse Izraeli i përgjigjet breshërisë së raketave, do të përballet me më shumë “sulme dërrmuese”. Ajo tha gjithashtu se sulmi u kry me mbështetjen e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.