Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe modernizimi i Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës duhet të jenë ndër prioritetet në rajon, deklaroi të premten emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak në forumin 2BS në Budva të Malit të Zi.
Diplomati sllovak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, pasi sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.
Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.
“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës, andaj kemi më shumë tensione”, tha Lajçak.
Ai iu referua veprimeve të Prishtinës zyrtare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri.
“Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim, tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, e as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë?” tha ai.
Duke qenë se Lajçakut i është zgjatur mandati deri në janar të vitit 2025, një nga pyetjet ka qenë nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri atëherë.
“Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve. Por, ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve”, u përgjigj Lajçak.
Një nga temat e diskutimit në këtë forum ishte edhe sulmi i armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në Banjskë, për të cilin Lajçak tha se kishte ndikim shumë të dëmshëm në dialog.
“BE ishte shumë e qartë: ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ne e dimë se cilët janë këta njerëz, disa prej tyre pranuan përgjegjësinë dhe është për keqardhje që ne nuk e shohim atë përgjegjësi”, tha Lajçak.
Ai shtoi se BE-ja do të vazhdojë të ngulë këmbë në përgjegjësi, sepse rastet si Banjska nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai është i paarritshëm për autoritetet kosovare dhe gjendet në Serbi.
Prokuroria kosovare ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin në Banjskë, tre prej të cilëve dolën para gjykate javën e kaluar, ndërkohë që pjesa e mbetur janë në arrati. /REL/